AktualitetPolitikëTë fundit

Begaj në takimin e NATO-s: Angazhim për ruajtjen e paqes në rajon

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, po merr pjesë në Sesionin Pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që këtë vit po mbahet në Dejton (Dayton) të Shteteve të Bashkuara në 30-vjetorin e marrëveshjes që i dha fund konfliktit në Bosnjë-Hercegovinë.

Gjatë fjalës në forumin me temë “Renewing focus on peace and prosperity in the Balkans”, Presidenti Begaj rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Marrëveshjes së Dejtonit dhe integrimin Euroatlantik të Bosnjë-Hercegovinës.

Duke nxjerrë në pah përpjekjet ndërkombëtare për shuarjen e konflikteve në rajoni tonë, Presidenti i Republikës theksoi se, “Marrëveshja e Paqes e Dejtonit i dha fund një lufte brutale në Ballkan, duke mbetur një gur themeli i paqes, stabilitetit dhe shpresës”.

Presidenti Begaj nënvizoi rëndësinë e ndërhyrjes në kohë në Kosovë, që ndihmoi në parandalimin e një katastrofe.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës luajtën një rol historik në sigurimin e paqes tre dekada më parë. Pa udhëheqjen amerikane, Marrëveshja e ‘Dejtonit’ nuk do të kishte qenë e mundur. Pa udhëheqjen amerikane, nuk do të kishim një Kosovë të pavarur. Për më tepër, rajoni ynë nuk do të kishte arritur stabilitetin e tij aktual pa angazhimin e qëndrueshëm të SHBA-së”, theksoi Begaj.

Kreu i Shtetit vlerësoi partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u shprehur se, “Shqipëria riafirmon angazhimin e saj të fortë ndaj vlerave thelbësore të demokracisë, duke promovuar paqen, sigurinë, stabilitetin, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Ne shqiptarët e nderojmë dhe e vlerësojmë thellësisht miqësinë tonë me Shtetet e Bashkuara dhe jemi të përkushtuar ta forcojmë atë për brezat që do të vijnë”.

Presidenti Republikës vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-së, NATO-s dhe BE-së në rajonin e Ballkanit, ndërsa shprehu përkushtimin si anëtare e Aleancës Euroatlantike për të forcuar solidaritetin, unitetin dhe kohezionin e NATO-s.

Përballë sfidave të reja më të cilat përballet Ballkani pas luftës në Ukrainë, Presidenti Begaj bëri thirrje për bashkëpunim mes aleatëve për transformimin e tyre në mundësi, shpresë dhe unitet.

“Le të riafirmojmë angazhimin tonë ndaj Ballkanit Perëndimor, një rajon që nuk mbetet në hijen e së kaluarës së tij, por qëndron në dritën e të ardhmes së vet. 30 vjet më parë paqja u bë e mundur këtu. Tani është detyra jonë të sigurohemi që ajo të bëhet e përhershme”, deklaroi Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

 

Fraksion.com