AktualitetTë fundit

Zbulohen bimë kanabisi në Lezhë, arrestohet një shtetas e dy të tjerë shpallen në kërkim

Një shtetas u arrestua dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim nga Policia e Lezhës në kuadër të operacionit “Koordinata”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.

Sipas njoftimit për shtyp të Policisë së Shtetit, u arrestua në flagrancë shtetasi S. B., alias S. M., 30 vjeç, banues në Velipojë, Shkodër, person i shpallur në kërkim nga DVP Shkodër, për veprën penale plagosja e lehtë me dashje.

Në vijim të operacionit u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit M. B., 25 vjeç,(vëllai i të arrestuarit) dhe F. F., 30 vjeç, të dy banues në Velipojë, Shkodër.

Të dy vëllezërit, S. B. dhe M. B., rezultojnë persona të shpallur në kërkim nga DVP Shkodër, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë vijojnë punën për kapjen e tyre.

Si rezultat i kontrolleve të intensifikuara nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë dhe Stacionit të Policisë Shëngjin, në Malin e Rencit u evidentua një parcelë me rreth 3334 fidanë dhe bimë të dyshuara narkotike të llojit cannabis sativa.

Gjatë operacionit u sekuestrua një armë gjahu, e dyshuar se përdorej për ruajtjen e parcelës.

Fidanët dhe bimët narkotike u asgjësuan në vend me anë të djegies, ku një pjesë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Policia e Shtetit vijon punën për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.


Fraksion.com