Ukraina dhe Rusia këmbejnë gati 800 të burgosur
Rusia dhe Ukraina e kanë nisur këmbimin më të madh të të burgosurve që nga fillimi i pushtimit të plotë nga Rusia, duke i këmbyer qindra ushtarë dhe civilë në një proces që pritet të vazhdojë gjatë fundjavës, thanë të premten zyrtarët e të dyja vendeve.
“Po i kthejmë njerëzit tanë në shtëpi”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një postim në Telegram.
“Pjesa e parë e marrëveshjes për këmbimin 1.000 personave për 1.000 persona, është zbatuar”, tregoi ai.
Zelensky tha se janë këmbyer 390 persona nga secila palë dhe se shkëmbimi pritet të vazhdojë më 24 dhe 25 maj.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, në këtë numër përfshiheshin 270 robër lufte dhe 120 civilë.
Ministria ruse deklaroi se 120 rusët që po kthehen në Rusi përfshijnë edhe banorë të rajonit të Kurskut, të cilin Ukraina e kishte pushtuar në gushtin e kaluar.
Këmbimi i 1.000 personave nga secila palë do të përbënte këmbimin më të madhin të të burgosurve që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.
Këmbimet e mëparshme nuk kanë sjellë përparim të dukshëm drejt përfundimit të luftës.
Më herët, presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Ukraina dhe Rusia sapo kishin përfunduar një shkëmbim të madh të burgosurish.
“Një shkëmbim i madh i të burgosurve sapo ka përfunduar midis Rusisë dhe Ukrainës. Do të hyjë në fuqi së shpejti”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social të premten.
Të enjten, Zelensky tha se marrëveshja për një këmbim të burgosurish “1.000 për 1.000” ishte “ndoshta rezultati i vetëm real” i një takimi 90-minutësh në Stamboll më 16 maj.
Ai ishte takimi i parë i drejtpërdrejtë për paqe midis zyrtarëve ukrainas dhe rusë që nga fillimi i pushtimit të potë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.
Zelensky tha se palët kishin këmbyer lista të të burgosurve që mund të përfshiheshin në marrëveshje.
Rusia nuk i ka pranuar thirrjet nga Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane për një armëpushim 30-ditor dhe nuk është caktuar asnjë takim i ri.
Rusia dhe Ukraina kanë kryer disa shkëmbime të të burgosurve që nga fillimi i pushtimit.
Fraksion.com