AktualitetPolitikëTë fundit

Spiropali: Objektiv strategjik kombëtar, anëtarësimi në BE brenda vitit 2030

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, mori pjesë sot, në Konferencën e 19-të të Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të Iniciativës Adriatiko-Joniane, që zhvillohet në Janinë, Greqi.

Në fjalën e saj, Spiropali u shpreh se, Bashkimi Evropian po përballet me sfida të shumta.

“Këto sfida, theksoi Spiropali, “kërkojnë një Evropë më të madhe, më të fortë, më të sigurt, më solidare. Kërkojnë një Evropë të re në një botë të re, e cila po ndryshon dramatikisht.  Në këtë Evropë të re kufijtë politikë do të të afrohen gjithnjë e më shumë me kufijtë gjeografikë dhe kulturorë të saj”.

“Zgjerimi më tepër se asnjëherë më parë nuk përbën më një barrë, por një zgjidhje dhe vendet e Ballkanit Perëndimor nuk përbëjnë më një problem të shtuar, por një vlerë të shtuar për BE-në”, tha Kryetarja e Kuvendit.

“Kjo e vërtetë e pranuar më herët prej vendeve tona, po pranohet tashmë dhe nga institucionet evropiane dhe nga vendet anëtare”, shtoi Spiropali.

“Zhvillimi i Samitit të 6-të të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, i pari samit që mbahet në një vend të Ballkanit Perëndimor dhe në një shtet anëtar të nismës Adriatiko-Joniane, rikonfirmoi rëndësinë e rajonit dhe angazhimin e Shqipërisë ndaj projekteve tona të përbashkëta”, tha ajo.

Duke folur për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Spiropali nënvizoi se, “zgjedhjet rikonfirmuan shumicën qeverisëse madje me një rezultat më të qartë dhe më solid se 4 vjet më parë, por më i rëndësishëm dhe më domethënës se rezultati është fakti që shumica qeverisëse u rikonfirmua për shkak të planit të qartë për perspektivën evropiane të Shqipërisë”.

“Ne kemi vendosur si objektiv strategjik kombëtar, anëtarësimin në BE brenda vitit 2030 dhe përfundimin e procesit të negociatave teknike brenda vitit 2027”, tha Kryetarja e Kuvendit, duke shtuar se, “tashmë ky objektiv është shndërruar në një plan të dakodësuar me institucionet evropiane, Parlamentin Evropian, Komisionin Evropian si dhe ka fituar mbështetjen e vendeve anëtare. Këtë mbështetje e ka shprehur presidentja e KE, Von der Leyen, Presidentja e PE, Roberta Metsola, Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos si dhe na kujton sesa larg kemi arritur”.

Spiropali u shpreh “mirënjohëse që vendet anëtare të nismës Adriatiko-Joniane, njëkohësisht shtete anëtare të BE-së, Greqia, Italia, Kroacia dhe Sllovenia janë mbështetëse të fuqishme të anëtarësimit të Shqipërisë.

“Javën e kaluar, gjatë vizitës zyrtare në Tiranë të Presidentit të Francës, Macron ai shpalli mbështetjen e  Francës për këtë objektiv kombëtar të Shqipërisë. Këtë mbështetje e bëri të qartë edhe kryeministrja e Italisë, Meloni dhe udhëheqës të shteteve anëtare të BE-së gjatë samitit të 6-të të Komunitetit Politik Evropian”, tha Spiropali.

“Mbajtja e këtij samitit në Shqipëri rikonfirmoi vizionin tonë për Bashkimin me BE-në, si vendi kandidat që ecën më shpejt dhe më vendosmërisht drejt këtij qëllimi”, tha Kryetarja e Kuvendit.

Spiropali nënvizoi se, “Shqipëria ka vetëm një Plan A drejt destinacionit të saj të ardhshëm dhe ky është Bashkimi Europian”.

Ajo theksoi se, “anëtarësimi në BE gëzon një mbështetje të fuqishme popullore. Sondazhet tregojnë që 95 përqind e popullsisë mbështet anëtarësimin. Kjo e bën Shqipërinë vendin më pro BE-së në Europë”.

“Anëtarësimi në Bashkimin Europian ka një mbështetje të plotë dhe konsensuale në Kuvendin e Shqipërisë. Ka raste që parlamentarët shqiptarë, nuk bien dakord as për orën, as për motin, por për të ardhmen tonë europiane të gjitha partitë politike dhe të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kemi qenë, jemi dhe do të jemi në një mendje”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.

“Ne e kemi të qartë që anëtarësimi nuk është një dhuratë, as një zgjidhje pragmatiste gjeopolitike apo për shkak të konjukturave ndërkombëtare. Jemi tërësisht të vetëdijshëm që ky është një proces i bazuar në merita dhe po punojmë për të gjithë kapitujt dhe kriteret që të garantojmë mirëqenien dhe demokratizimin, sundimin e ligjit, konsolidimin e institucioneve demokratike, pavarësinë e degëve të qeverisjes dhe konsolidimin e një sistemi drejtësie të pavarur”, tha më tej Spiropali.

Ajo theksoi se, “brenda një kohe të shkurtër progresi, siç njihet nga institucionet evropiane është shumë i madh, madje i vrullshëm dhe me një shpejtësi të pandalshme. Shqipëria fitoi statusin e vendit kandidat në vitin 2014 dhe në vitin 2022 ka filluar mbajtjen e konferencave ndërqeveritare me Bashkimin Europian për çeljen zyrtare të negociatave. Prej 19 korrikut 2022, kur në Bruksel, u mbajt Konferenca e Parë, janë zhvilluar deri tani pesë konferenca ndërqveritare, e fundit prej të cilave u mbajt dje, më 22 maj, në Bruksel”.

Spiropali nënvizoi se, ‘Shqipëria synon që brenda vitit 2025 të çelë negociatat për gjithë kapitujt”.

“Rritja ekonomike e qëndrueshme, politika e fqinjësisë së mirë, lidershipi në proceset e bashkëpunimit rajonal, unifikimi njëqind përqind i politikës së jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Europian, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kontributi aktiv dhe i vlerësuar si anëtare e NATO-s, mbrojtja prej influencave joperëndimore dhe jodemokratike, mund të them pa hezitim se e kanë bërë Shqipërinë një vend lider në zhvillimin e integrimet rajonale kontributin për sigurinë në Ballkanin Perëndimor”, tha Kryetarja e Kuvendit.

Spiropali shtoi se, “Plani i Rritjes së BE për Ballkanin Perëndimor paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë. Miratimi i parafinancimit për rajonin, si pjesë e Planit të Rritjes, do të nxisë zhvillimin ekonomik, do të ndërtojë infrastrukturën lidhëse kombëtare e rajonale, dhe do të ndihmojë në zbatimin e reformave të nevojshme për integrimin tonë në tregun e Bashkimit Europian”.

“Vendimi i Parlamentit Europian për të hapur në Tiranë Zyrën Rajonale për Ballkanin Perëndimor është një tjetër shenjë e bashkëpunimit tonë të ngushtë. Vendet tona kanë potencial të madh. Shqipëria do të vijojë të nxisë bashkëpunimin rajonal, për ti sjellë më pranë popujt dhe vendet tona”, përfundoi Spiropali.

 

Fraksion.com