AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Qendër e re shëndetësore në Laprakë, në shërbim të 5 mijë banorëve

Një qendër e re shëndetësore është hapur për banorët e Njësisë 11 në Laprakë, një bashkëpunim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me Kishën Katolike.

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se kjo qendër sjell më afër kujdesin shëndetësor për rreth 5 mijë banorë të kësaj zone.

“Qendra socio-shëndetësore Nr. 7, hap dyert në rrugën “Josif Pashko”, Tiranë, duke sjellë më afër kujdesin shëndetësor për rreth 5 mijë banorë të kësaj zone, ku nga sot shërbimet janë vetëm 3 minuta larg banesave të tyre”, u shpreh Rama.

Kryeministri bëri të ditur se në këtë qendër shëndetësore do të ofrohen shërbime për të gjitha grupmoshat nga mjek të përgjithshëm, pediatër dhe infermiere, duke siguruar shërbim shëndetësor më të shpejtë, më cilësor dhe më pranë njerëzve.

Ditën e djeshme këtë qendër shëndetësore e vizituan edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar nga drejtoresha e OSHKSH, Jeta Deda dhe drejtori rajonal i OSHKSH Tiranë, Lorenc Hashorva.

Ministrja Koçiu theksoi se “kjo qendër shkurton distancën e marrjes së shërbimeve shëndetësore për banorët e Unazës” si dhe nënvizoi se “në këtë strukturë do të ofrohen edhe shërbime të shtuara në aspektin social”.

Kjo qendër jo vetëm do të mundësojë shërbime socio-shëndetësore të dedikuara, por edhe do të ndikojë në reduktimin e fluksit në Qendrën Socio-Shëndetësore Nr. 7 në Laprakë duke rritur më tej cilësinë e shërbimit për qytetarët.

 

Fraksion.com