Manja: Shqipëria, epiqendra e noterisë botërore në 2026
Vitin e ardhshëm Shqipëria do të jetë epiqendra e noterisë. Kështu bëri me dije ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, i cili nënvizoi se do të jenë pjesëmarrës 92 shtete të botës.
“Një tjetër moment historik për drejtësinë shqiptare: Tirana do të mirëpresë Asamblenë e Përgjithshme të Unionit Botëror të Noterëve (UINL) në tetor 2026, me pjesëmarrës nga 92 shtete të botës!”, shkruan Manja në një postim në rrjetet sociale.
Sipas Manjës “për herë të parë, vendi ynë bëhet mikpritës i një ngjarjeje të këtij niveli në fushën e noterisë, duke e kthyer Shqipërinë në një qendër globale të diskutimeve për të ardhmen e këtij profesioni në epokën digjitale”.
Manja thekson se “ky është një vlerësim i drejtëpërdrejtë për reformën në drejtësi dhe për përkushtimin tonë për një noteri moderne, transparente dhe të sigurt, gjithmonë në shërbim të qytetarëve”.
“Një mundësi e jashtëzakonshme për të promovuar Shqipërinë. Një hap i madh përpara në forcimin e partneriteteve ndërkombëtare. Një dëshmi e rolit tonë aktiv në mbrojtje të sundimit të ligjit”, shkruan Manja.
Shqipëria nënvizon Manja “po ngjitet aty ku i takon – në hartën botërore të drejtësisë!”.
Fraksion.com