AktualitetKosovaTë fundit

Kurti i thotë Kallasit se Kosovës duhet t’i jepet statusi i vendit kandidat për në BE

Kurti i ka thënë shefes së diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, të cilën e takoi në Prishtinë, mbrëmjen e 22 majit, se “Kosova duhet të marrë statusin kandidat si demokracia më e avancuar e Ballkanit Perëndimor”, bën të ditur një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit.

Më herët, të enjten, në Beograd, Kallas ka thënë se është “thellësisht e përkushtuar” për t’i inkurajuar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që të shfrytëzojnë “me të vërtetë momentumin aktual që kemi në procesin e zgjerimit” të BE-së.

“Po, ky proces ka qenë në zhvillim prej mjaft kohësh, por gjithmonë ekziston një moment politik, dhe ky moment politik është tani – Evropa e Bashkuar është një vizion për të cilin duhet të punojmë të gjithë”, ka theksuar ajo.

Në Prishtinë, ndërkaq, Kallas ka thënë se “Kosova i përket familjes evropiane, por nuk ka rrugë të shkurtër drejt anëtarësimit në BE”. Ajo ka porositur se “përparimi mund të arrihet vetëm përmes reformave të vazhdueshme”.

Në takimin Kurti-Kallas u diskutua “për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, agjendën e reformave evropiane dhe Planin e Rritjes”, thuhet në njoftim.

Me kryediplomaten evropiane – e cila vizitoi Prishtinën të enjten, pas qëndrimit në Beograd – Kurti ka diskutuar edhe për dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Sipas Kryeministrisë, shefi në detyrë i ekzekutivit kosovar “theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë” të Marrëveshjes për normalizim raportesh mes Kosovës dhe Serbisë, që njihet si Marrëveshja e Ohrit, ndërsa bëri thirrje që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin në Banjskë, në veri të Kosovës, dhe që Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin që la të vrarë një polic kosovar, t’i dorëzohet Kosovës.

Në darkën e zhvilluar me Kallasin, Kurti “gjithashtu ngriti çështjen e shkeljeve të vazhdueshme dhe të rënda të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nga shteti i Serbisë dhe kërkoi që BE të bëjë veprime konkrete për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Kurti dhe kryediplomatja evropiane folën edhe “për procesin paszgjedhor në vend dhe angazhimet për formimin e institucioneve të legjislaturës së nëntë”, bën të ditur komunikata.

Kallas u bëri thirrje të enjten partive parlamentare në Kosovë të bashkëpunojnë për ta zhbllokuar ngërçin politik në vend.

Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, në vizitën e saj të parë në Kosovë, Kallas tha se BE-ja është e gatshme ta mbështesë Kosovën, por liderët e partive politike duhet t’i lënë anash ndasitë dhe ta bëjnë prioritet të ardhmen e Kosovës./REL

 

Fraksion.com