Vriten dy punonjës të Ambasadës së Izraelit në Uashington, arrestohet i dyshuari
Dy pjesëtarë të stafit të Ambasadës së Izraelit – një çift i ri që do të fejohej së shpejti – janë vrarë nga një sulmues i vetëm, teksa ata po largoheshin nga një ngjarje e zhvilluar në Muzeun Hebraik në Uashington, në natën e së mërkurës, sipas kohës lokale, kanë bërë të ditur autoritetet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një i dyshuar për vrasjet tashmë është arrestuar, kanë njoftuar zyrtarët amerikanë.
Dy viktimat janë qëlluar dhe janë vrarë në një pjesë të qendrës së Uashingtonit, e cila ndodhet vetëm 2 kilometra larg Shtëpisë së Bardhë, raporton Reuters.
Shefja e Policisë Metropolitane të Uashingtonit, Pamela Smith, ka thënë se një burrë ka shtënë ndaj një grupi prej katër personash me një revole, duke i qëlluar të dyja viktimat. Ai ishte parë duke vrapuar jashtë muzeut, para sulmit.
I dyshuari i vetëm, i identifikuar si Elias Rodriguez, 30-vjeçar, nga Çikagoja, kishte brohoritur “Liri për Palestinën, liri për Palestinën”, para se të arrestohej, ka bërë të ditur ajo.
“Pas të shtënave, i dyshuari është futur në muze dhe është ndaluar nga sigurimi i ngjarjes”, ka thënë Smith.
“Sapo është prangosur, i dyshuari ka treguar se ku e ka hedhur armën, dhe ajo armë është gjetur, dhe ai ka pohuar se ka kryer krimin”, ka njoftuar ajo.
Sipas Smithit, i dyshuari nuk kishte pasur ndonjë kontakt të mëparshëm me Policinë.
Ambasadori i Izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, u ka thënë gazetarëve se i riu i vrarë kishte “blerë një unazë këtë javë, me qëllimin t’i propozonte të dashurës së tij javën e ardhshme në Jerusalem”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka dënuar sulmin. “Këto vrasje të tmerrshme në Uashington, të nxitura qartas nga antisemitizmi, duhet të ndalen, TANI!”, ka shkruar ai në një mesazh në rrjetet sociale. “Urrejtja dhe radikalizmi nuk kanë vend në SHBA”, ka thënë Trump.
“Ndiej dhimbje për familjet e burrit dhe gruas së re, jeta e të cilëve u shua nga një vrasës i tmerrshëm antisemit”, ka thënë ai, nëpërmjet një komunikate.
“Unë kam urdhëruar ashpërsimin e sigurisë në misionet izraelite nëpër botë, si dhe sigurinë për përfaqësuesit e shtetit”, ka bërë të ditur Netanyahu.
Presidenti izraelit, Isaac Herzog, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, po ashtu e dënuan sulmin, ndërsa sekretarja për Siguri të Brendshme, Kristi Noem, u zotua në platformën sociale X se përgjegjësi do të sillet para drejtësisë.
Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, dhe prokurorja për Distrikin e Kolumbias, Jeanine Pirro, shkuan në vendin e ngjarjes pas vrasjeve.
Zëvendësdrejtori i Byrosë Federale amerikane të Hetimeve (FBI), Dan Bongino, ka thënë se i dyshuari po merret në pyetje nga policia dhe nga FBI-ja.
Ngjarja e mbajtur në Muzeun Hebraik në Uashington ishte organizuar nga Komiteti Hebraik Amerikan, një grup që mbështet Izraelin dhe lufton antisemitizmin, sipas ueb-faqes së tij.
Një ftesë online për ngjarjen e kishte quajtur atë “Pritje për diplomatët e rinj”, duke e përshkruar si bashkim të profesionistëve hebraikë të moshave ndërmjet 22 dhe 45 vjeçe, dhe komunitetit diplomatik të Uashingtonit./REL
Fraksion.com