AktualitetPolitikëTë fundit

“Jam pa fjalë”, Rama reagon për humbjen e Artan Lames: Ngushëllime familjes e miqve!

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-kreut të Kadastrës, Artan Lame.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama e cilëson lajmin si “i pabesueshëm, po fatkeqësisht i vërtetë”, duke shprehur trishtimin e tij për humbjen e një figure të njohur të administratës shtetërore.

Kreu i qeverisë ngushëllon familjarët dhe miqtë e Lames, që ndër vite dha një kontribut të shquar në Partinë Socialiste.

“I pabesueshëm, po fatkeqësisht i vërtetë lajmi i befasishëm i ndarjes nga jeta të Artan Lames. Jam pa fjalë. Ngushëllime Mirelës, djalit të tyre dhe familjes e shokëve të përbashkët”.

Lame drejtoi për gjashtë vite, nga viti 2013-2019 Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale. Më pas, mbajti postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Më herët, mbajti poste të tjera të rëndësishme si Drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Nënkryetar i Bashkisë së Tiranës dhe Zëvendësministër i Territorit dhe Turizmit.

Artan Lame humbi betejën për jetën në një spital në Mynih të Gjermanisë, ku po kurohej muajt e fundit pas një ishemie që pësoi.

 

Fraksion.com