Franca merr komandën e Misionit të NATO-s në Irak
Të enjten, më 22 maj, gjeneralmajor Christophe Hintzy nga Franca mori komandën e Misionit të NATO-s në Irak, në një ceremoni ndërrimi komande në Bagdad. Ai pason gjenerallejtnant Lucas Schreurs nga Holanda, i cili kishte qenë në këtë post që nga maji 2024. Në ceremoni morën pjesë zyrtarë irakianë, ambasadorë nga vendet aleate dhe partnere, zyrtarë të NATO-s dhe përfaqësues të tjerë nga bashkësia ndërkombëtare në Bagdad.
“Për Francën dhe për mua personalisht, është një nder dhe privilegj i madh të marr komandën e Misionit të NATO-s në Irak, një vend që shpesh konsiderohet si djepi i qytetërimit”, tha Gjeneral Major Hintzy. “Së bashku me institucionet irakiane të sigurisë dhe Forcat irakiane të Sigurisë, ne ndajmë një qëllim të përbashkët. Suksesi ynë nuk do të jetë kurrë një sukses individual, por më tepër një sukses kolektiv për të zhvilluar zgjidhje të përshtatura dhe të qëndrueshme që do ta ndihmojnë Irakun si një partner të vlefshëm për NATO-n”, theksoi ai.
Komandanti në largim, gjenerallejtnant Lucas Schreurs, falënderoi homologët e tij irakianë për mikpritjen dhe bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer dhe i vlerësoi ata për angazhimin e tyre në bashkëpunimin me NATO-n dhe për forcimin e mëtejshëm të forcave dhe institucioneve të sigurisë irakiane. “Partnerëve tanë irakianë – qëndrueshmëria dhe lidershipi juaj na frymëzojnë. Kemi mësuar shumë nga ju dhe ka qenë një privilegj të shërbejmë përkrah jush. Aleatëve dhe partnerëve tanë – faleminderit që investuat në të ardhmen e Irakut dhe në sigurinë tonë të përbashkët”, tha ai. “Christophe, po jua kaloj këtë komandë me besim të plotë. Ju trashëgoni një ekip profesionistësh të përkushtuar dhe një rrjet të qëndrueshëm partneritetesh. E di që do të udhëheqni me vizion dhe respekt si për parimet e NATO-s ashtu edhe për kontekstin irakian. Ky mision ka të bëjë me njerëzit – me besimin, mbështetjen dhe sovranitetin. E di që do ta çoni përpara me integritetin që meriton”, shtoi gjenerallejtnant Schreurs.
Në Samitin e NATO-s në Bruksel në korrik 2018, udhëheqësit aleatë nisën Misionin e NATO-s në Irak, pas një kërkese dhe me ftesë nga Qeveria e Irakut. Misioni u krijua në Bagdad, në tetor 2018. Është një mision jo-luftarak, këshillues dhe ndërtimi kapacitetesh që ndihmon Irakun në ndërtimin e institucioneve dhe forcave të sigurisë më të qëndrueshme, transparente, gjithëpërfshirëse dhe efektive, në mënyrë që ata vetë të jenë në gjendje të stabilizojnë vendin e tyre, të luftojnë terrorizmin dhe të parandalojnë kthimin e ISIS/Daesh.
Të gjitha përpjekjet e Misionit të NATO-s në Irak kryhen me pëlqimin e qeverisë irakiane dhe kryhen në respekt të plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Irakut.
Përpara ceremonisë së ndërrimit të komandës së Misionit të NATO-s në Irak, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacionet, Tom Goffus, mori pjesë në takimin e dytë të Dialogut të Nivelit të Lartë për Partneritet midis NATO-s dhe Irakut, të mbajtur në Bagdad, më 21 maj. “Ky takim i dytë i Dialogut të Nivelit të Lartë për Partneritet, këtu në Bagdad, është një dëshmi e partneritetit tonë me Irakun dhe e çimentimit të këtij dialogu”, tha ai, duke shtuar se “NATO vazhdon të jetë e përgatitur për të mbështetur Qeverinë e Irakut dhe institucionet e saj të sigurisë në të ardhmen përmes Misionit të NATO-s në Irak.”
Dialogu i Nivelit të Lartë për Partneritet midis NATO-s dhe Irakut u lançua në Bruksel më 27 gusht 2024. Ai ofron një kornizë shtesë për konsultime dhe shkëmbim pikëpamjesh mbi çështje me interes të ndërsjellë – duke përfshirë stabilitetin në të gjithë Lindjen e Mesme.
Fraksion.com