Visi i Pojës i shpëtoi arrestimit gjatë aksionit të SPAK, iu sekuestruan 3 milionë euro, Dumani: Është grup i fuqishëm kriminal
Një prej grupeve të goditura në aksionin e fundit të SPAK është ai i drejtuar nga Elvis Doçi, i njohur si Visi i Pojës.
Mësohet se ky i fundit i ka shpëtuar arrestimit, megjithëse SPAK bëri të ditur se nga 52 masa arresti, janë ekzekutuar 40 prej tyre.
Gjatë aksionit këtij grupi i janë sekuestruar edhe 3 milionë euro. Kreu i SPAK, Altin Dumani tha se nga pushteti financiar që grupi kishte, e klasifikon atë si një ndër grupet më të rrezikshme kriminale.
“Vlerësimi që i bëjmë ne si institucion që është një ndër grupet më të rrezikshme niset nga shumë indikatorë. Grupi ynë i hetimit, por edhe kolegët italianë, të gjithë bashkë konkludojmë që është një nga grupet më të rrezikshme, qoftë nga pushteti financiar që ata kanë, të ardhurat që sigurojnë nga aktiviteti kriminal, aftësia për të trafikuar kokainë nga vendet e Amerikës Latine dhe për ta shpërndarë në Europë, kryesisht në Itali”, tha Dumani.
Sipas tij “Ajo që pohoj është që qendra e grupit është Durrësi. Sa i takon emrave, ne nuk japim gjeneralitete të personave që arrestohen. Ne nuk përmendim edhe në këtë rast gjeneralitete të personave që është lëshuar masë sigurimi, qoftë ata për të cilët masa është ekzekutuar, apo edhe ata të cilët masa nuk është ekzekutuar”.
Fraksion.com