Rama: Muzeu i Lundrimit në Shkodër, hapësirë unike e trashëgimisë dhe historisë
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamjet nga kantieri i punimeve në muzeun e Lundrimit në hyrje të qytetit të Shkodrës, projekt i cili po merr formë dita-ditës.
Sipas Kryeministrit Rama, ky është një investim që do t’i japë qytetit një hapësirë unike kushtuar trashëgimisë dhe historisë së tij, e lidhur ngushtë me lundrimin në liqen dhe lumenjtë që e rrethojnë
Muzeu i Lundrimit është një projekt ambicioz dhe i shumëpritur nga qytetarët, ndërsa pritet të kthehet në një pikë referimi të rëndësishme kulturore dhe turistike për të gjithë rajonin.
Ky investim pritet të përfundojë deri më 10 shkurt 2026, ndërsa vlera e investimit parashikohet të shkojë rreth dy milion euro. Muzeu i Lundrimit është pjesë e një pakete të plotë ndërhyrjesh që po realizohen në Shkodër, duke synuar rritjen e potencialit turistik në këtë qytet të Shqipërisë.
Muzeu formohet nga dy volume të vendosura njëra mbi tjetrën, një volum në formë kodre në pjesën e poshtme dhe një “varkë pluskuese” në pjesën e sipërme. Muzeu i ri i Lundrimit do të jetë simbol i peizazhit urban dhe kulturor të qytetit të Shkodrës. Projekti financohet nga BERZH dhe Bashkimi Evropian.
Fraksion.com