Megaoperacioni “Ura”, Dumani: U godit një prej grupeve kriminale më të fuqishme në vend
Drejtuesi i Përgjithshëm i Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Altin Dumani zhvilloi sot një konference të përbashkët për shtyp me kryeprokurorin e Barit Roberto Rossi, drejtorin e Antimafias italiane Michele Carbone dhe përfaqësuesin e ‘Eurojust’ për Italinë Gianluca Forlani.
Kreu i SPAK bëri publike rezultatet e një hetimi të përbashkët mes SPAK, autoriteteve italiane, Prokurorisë së Barit dhe drejtorisë së antimafias italiane, ndërsa theksoi se ky operacion përfaqëson një hap të rëndësishëm në luftën e përbashkët kundër krimit transnacional.
“Është arritur t’i jepet një goditje e rëndësishme një prej grupeve kriminale më të fuqishme në Shqipëri, për të cilin ka dyshime të forta që ishte i përfshirë në trafikun e drogave të forta dhe pastrimin e parave. Ky operacion i mbështetur nga hetime të thelluara dhe një shkëmbim informacioni ndërinstitucional është një dëshmi e qartë e asaj që mund të arrihet kur institucionet e drejtësisë dhe strukturat e zbatimit të ligjit bashkëpunojnë me besim të ndërsjellë, profesionalizëm dhe përkushtim”, tha Dumani.
Fraksion.com