AktualitetKosovaTë fundit

Kosova pa Kuvend edhe pas përpjekjes të 19-të

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për të nëntëmbëdhjetën herë me radhë që ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Të mërkurën, ligjbërësit refuzuan për të njëmbëdhjetën herë rresht që ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës – sipas një propozimi të bërë më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post.

Dështimi i radhës ndodhi një ditë pasi kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh udhëheqës i LVV-së, Albin Kurti, ngulmoi se kandidatura e Haxhiut për kryetare të Kuvendit është vendim i partisë dhe se ajo nuk do të tërhiqet.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish, në vazhdimin e seancës konstituive, më 21 maj, që ta propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Ato thonë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë, dhe i kanë kërkuar Kushtetueses të marrë “një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”.

Seanca konstituive do të vazhdojë të premten e 23 majit.

Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.

Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.

Haxhiu e LVV-së po konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja.

Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar. LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.

Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, e cila ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.

Më 15 maj, pas një takimi të thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me përfaqësues të partive politike, Osmani tha se nuk pati pajtim rreth konstituimit të Kuvendit, por shtoi se kishte parë një “disponim minimal” tek liderët partiakë për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.

Kurti ka thënë më 20 maj se gjatë procesit të formimit të qeverisë, do të jetë i gatshëm për kompromise dhe koncesione.

Kurti përmendi si partnerë të mundshëm pakicat, si dhe Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt.

Ata që kanë dyshime nëse ai i ka votat e mjaftueshme për ta formuar qeverinë, Kurti i porositi: “Më testoni”.

Sipas tij, një koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), me pakicat dhe me Nismën do të mund të siguronte deri në 80 vota në Kuvend.

LDK-ja më herët e ka refuzuar një ftesë të Kurtit për marrëveshje koalicioni.

Kurti konfirmoi se ka pasur takime me Limajn dhe një rritje të besimit mes tyre, por jo një marrëveshje konkrete./REL

 

Fraksion.com