AktualitetTë fundit

Ishin përfituar nga krimi, sekuestrohet 228 mijë euro pasuri në Tiranë

Policia e Tiranës ka sekuestruar pasuri me vlerë 228 mijë euro të një shtetasi të dënuar për trafikim të qenieve njerëzore, të cilat ishin regjistruar në emër të babait të tij. Pasuria dyshohet se është përftuar nga veprimtaria kriminale.

Policia njoftoi se “seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, si rezultat i punës gjurmuese dhe hetimore të kryer në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara nga veprimtaritë kriminale, finalizoi operacionin “Real Owner”.

“Në kuadër të operacionit u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës, për vënien e sekuestros preventive mbi pasuritë e regjistruara në emër të babait të shtetasit I. Gj., 34 vjeç, banues në Tiranë, të dënuar për trafikim të qenieve njerëzore”, njoftoi policia.

Konkretisht, sipas policisë “u vu sekuestro mbi 1 apartament dhe 2 automjete, me vlerë rreth 228 mijë euro”.

Në drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera të përfituara në mënyrë të kundërligjshme, që 34-vjeçari mund t’i ketë regjistruar në emër të shtetasve të tjerë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

 

Fraksion.com