AktualitetPolitikëTë fundit

“Ti do t’ia dalësh dhe do ta realizosh”, Ahmeti uron Ramën: Të ra barra të anëtarësosh Shqipërinë në Europë, të gjithë do të mbështesim

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti uroi sot kryeministrin Edi Rama, për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Në mesazhin e tij, Ahmeti vlerëson po ashtu mbajtjen në Tiranë të Samitit VI të Komunitetit Politik Europian, me pjesëmarrjen e liderëve europianë.

“S’kishte mënyrë më të mirë se sa ta shpallësh fitoren e Shqipërisë Europiane, ashtu siç i ka hije, nga sheshi i kryeheroit tonë kombëtar hijerëndë, Gjergj Kastrioti Skenderbeu, ku edhe u kurorëzove dhe e vulose atë fitore edhe me pjesëmarrjen e të gjithë krerëve të shteteve europiane në Tiranë. Prandaj dhe sot, pasi i përfundove të gjitha sfidat me sukses, vendosa të ta uroj, vëllazërisht nga zemra, fitoren spektakolare dhe plebishitare të zgjedhjeve parlamentare”, shkruan Ahmeti në mesazhin e tij.

Kreu i BDI-së nënvizoi po ashtu se “rajonit i duhet pajtim dhe integrim”.

“U gëzova shumë që pikërisht Ty të ra barra ta shpiesh Shqipërinë në Europë, aty ku na e përcaktuan vendin rilindësit tanë, sepse e di që Ti do t’ia dalësh dhe do ta realizosh, e ne të gjithë do të mbështesim. Prandaj, Edi, vijo rrugën drejt pajtimit dhe integrimit, sepse në hasmëri shekullore nuk jetohet. Rajonit i duhet pajtim dhe integrim. Mua më ke pas, të ta hap rrugën e të ta ruaj shpinën”, shkruan Ahmeti në mesazhin e tij.

Në mesazhin e tij, Ahmeti vlerësoi veçanërisht mbështetjen e kryeministrit Rama për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

“Ishe pranë nesh në çdo hap, edhe kur e bëmë gjuhën shqipe zyrtare, edhe kur u dakorduam për Korridorin 8 nga Shkupi në Tiranë që e pranove pa asnjë hamendje, edhe kur e hoqëm kufirin mes nesh, për abetaren e unifikuar, dhe për çdo gjë tjetër në të mirën e përbashkët dhe në funksion të së ardhmes europiane”, u shpreh Ahmeti.

Ahmeti nënvizoi se “kemi ende shumë punë për të bërë, koha po dëshmon së arritjet tona duhet mbrojtur sepse po cenohen vrazhdë me tendenca shqetësuese dhe ne nuk do ta lejojmë kthimin pas, por do të punojmë bashkë për të ecur përpara”.

“Të përqafoj si vëllau vëllain, të uroj shëndet e mbarësi e me mall pres të ritakohemi e ta shtrijmë rrugën tonë të përbashkët europiane”, përfundon mesazhi i kreut të BDI-së, Ali Ahmeti.

 

Fraksion.com