Në një takim të zhvilluar në Prokurorinë e Përgjithshme, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, paraqiti paketën e rekomandimeve të qeverisë për forcimin e luftës kundër kriminalitetit. Plani i paraqitur përfshin tetë drejtime kryesore, që sipas Manjës synojnë të forcojnë sistemin penal, të nxisin bashkëpunimin mes institucioneve dhe të garantojnë të drejtat themelore të qytetarëve.
Në fokusin e deklaratës së ministrit ishin gjithashtu mbrojtja e konfidencialitetit të hetimeve dhe rritja e angazhimit ndaj krimeve në fushën e teknologjisë. Manja kërkoi gjithashtu që hetimet të kryhen më shpejt dhe të shmangen zvarritjet që dëmtojnë efektivitetin e drejtësisë.
Megjithatë, deklaratat e Manjës u pritën me skepticizëm nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, i cili ngriti dyshime mbi qartësinë dhe përmbajtjen e propozimeve të prezantuara. Ai vuri në dukje se shumë prej tyre janë të paqarta, mungojnë të dhënat konkrete që do t’i bënin të zbatueshme dhe janë formuluar me fjalë të përgjithshme që lënë hapësira për interpretime.