‘Përplasja’ e politikanëve të PD me gazetarët! Berisha: Duhet të kenë më shumë kujdes ndaj medias, sikundër…
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur lidhur me përplasjet verbale mes disa përfaqësuesve të kësaj force politike dhe gazetarëve.
I pyetur nga mediat pas paraqitjes në SPAK, ai theksoi se çdo politikan duhet të tregojë kujdes të shtuar në marrëdhënien me median, duke e konsideruar respektin ndaj gazetarëve si një parim të rëndësishëm në jetën publike.
Sipas Berishës, ndonëse në momente tensioni, si protestat, mund të ketë episode të papëlqyeshme, marrëdhëniet mes PD dhe mediave kanë qenë përgjithësisht më të qeta në krahasim me forcat e tjera politike.
Sali Berisha: Jam që gazetarët të respektohen. Ju keni bërë çfarë do lloj pyetje dhe keni marrë përgjigje për çfarë do që keni dashur. Çdo politikan, kushdo qoftë, duhet të ketë një kujdes të veçantë në marrëdhënien me gazetarin, sikundër besoj se në protesta, kur ka një kauzë, gazetari nuk duhet të përpiqet të marrë porosi dhe të zbatojë porosi, që nuk është vendi për t’i zbatuar aty, sepse mund të krijojë gjaknxehtësi dhe gjëra jo të pëlqyeshme. Kjo është e gjitha. Marrëdhëniet me PD ju i keni pasur në tërësi më normale, krahasuar me çdo forcë tjetër politike.
Fraksion.com