AktualitetPolitikëTë fundit

Lufta ndaj krimit, qeveria i jep tetë rekomandime Prokurorisë

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja prezantoi sot në Prokurorinë e Përgjithshme rekomandimet e Këshillit të Ministrave në luftën kundër kriminalitetit.

Në fjalën e tij, Manja theksoi se rekomandimet janë strukturuar në tetë fusha kryesore.

“Fusha e parë”, theksoi Manja, “është respektimi i të drejtave të njeriut që duhet të jetë në qendër të punës së Prokurorisë. Respektimi i prezumimit të pafajësisë, shmangia e vonesave të pajustifikuara në hetime. Shteti i së drejtës nis nga një hetim korrekt dhe i paanshëm”.

“Fusha e dytë është forcimi i luftës kundër kriminalitetit. Duhet forcuar bashkëpunimi ndërkombëtar në luftën kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar”, tha ministri.

Po ashtu, Manja thekson rëndësinë e krijimit të njësisë së specializuar për të luftuar krimin kibernetik.

Manja shtoi më tej se “fusha e tretë është integriteti transparenca dhe përgjegjshmëria”.

“Prokuroria e Përgjithshme duhet të forcojë kontrollin dhe llogaridhënien përtej procesit të vetting-ut”, tha Manja.

Fusha e katërt, sipas Manjës, ka të bëjë me “eficiencën dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale”.

“Në lidhje me këtë shtyllë një rol thelbësor duhet të ketë edhe mbështetja që duhet të japë qeveria. Përdorimi i metodave bashkëkohore të hetimit, sugjerohet përdorimi i Inteligjencës Artificiale. Intensifikim i metodave proaktive të hetimit”, tha Manja.

Sipas Manjës, “fusha e pestë është bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë”.

“Ministria e Drejtësisë është e gatshme të bashkëpunojë ngushtësisht për hartimin e politikave penale”, tha ai.

Manja shtoi se “synimi ynë është mekanizmi i përbashkët për ndjekjen e progresit në luftën kundër kriminaliteti”.

Fusha e gjashtë është “bashkëpunimi sa i takon ndihmës juridike ndërkombëtare, por edhe përmirësimit dhe shkëmbimit të të dhënave statistikore”.

Fusha e shtatë, shtoi Manja, është “bashkëpunimi ndërinstitucional”.

“Orientohet ndërtimi i një strategjie mes SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Drejtësisë”, tha ministri Manja.

Sa i takon fushës së tetë, Manja tha se “bashkëpunimi ndërkombëtar dhe pjesëmarrja në struktura aktive si Eurojust që janë thelbësore në luftën e krimit ndërkufitar”.

Sipas ministrit të Drejtësisë, “rekomandimet janë konkrete, të matshme dhe të zbatueshme”.

“Këto rekomandime t’i merrni në konsideratë në planifikimin dhe përmbushjen e detyrave tuaja në 2025”, u shpreh Manja.

Pas fjalës së ministrit, drejtuesi i Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar Altin Dumani tha se “rekomandimet nuk shoqërohen me të dhëna statistikore”.

“Rekomandimet duken subjektive dhe vështirë të matshme. Gjithashtu rekomandimet në një pjesë të tyre përdorin terma të përgjithshme, kjo krijon pasiguri për zbatimi praktik për një strukturë si SPAK, terminologjia e paqartë bëhet pengesë për implementim. Nga pikëpamja praktike, paraqesin vështirësi si do të zbatohen”, tha Dumani.

Manja nënvizoi se duhet të “kemi një prokurori efektive në luftën kundër kriminalitetit dhe të kemi një prokurori që i përgjigjet në kohë reale dinamikave të ndjekjes penale dhe hetimit dhe një prokurori që dita ditës fiton besimin e qytetarëve dhe publikut. Besoj për këtë biem dakord”.

Rekomandimet për vitin 2025 janë të strukturuara në tetë fusha kryesore:

1. Sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut në qendër të punës së Prokurorisë
Kërkohet respektimi strikt i të drejtave procedurale të të pandehurve dhe viktimave, shmangia e vonesave të pajustifikuara në hetime dhe përdorimi proporcional i masave të sigurimit. Shteti i së drejtës nis nga një hetim korrekt dhe i paanshëm. Prokuroria duhet të promovojë përdorimin e procedurave të posaçme, si marrëveshjet për pranimin e fajësisë dhe gjykimet e shkurtuara, veçanërisht për të miturit dhe rastet ku ndëshkimi mund të jepet nëpërmjet alternativave efektive ndaj burgimit.

2. Forcimi i luftës kundër kriminalitetit
Kërkohet rritje e hetimeve të nisura kryesisht, ndjekje penale efektive për korrupsionin, veçanërisht në nivele të larta, dhe hetime financiare për pasuri me origjinë kriminale. Duhet forcuar bashkëpunimi ndërkombëtar, veçanërisht në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe krimit të organizuar. Krijimi i njësive të specializuara për krimin kibernetik është një nevojë strategjike.

3. Integriteti, transparenca dhe përgjegjshmëria
Prokuroria duhet të forcojë mekanizmat për kontrollin e brendshëm dhe llogaridhënien, përtej vetting-ut. Duhet trajtuar seriozisht çdo ankesë për sjellje të papërshtatshme dhe të rritet transparenca për qytetarët. Kërkohet miratimi i standardeve të qarta për etikën dhe profesionalizmin, si dhe publikimi i praktikave të punës në përputhje me legjislacionin për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

4. Eficienca dhe ngritja e kapaciteteve institucionale
Nevojitet krijimi i strukturave të specializuara për çështje komplekse, investim në teknologji dhe burime njerëzore, si dhe zhvillimi i trajnimeve të vazhdueshme në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës dhe partnerët ndërkombëtarë. Trajnimi për antikorrupsion, krim të organizuar dhe krime kibernetike duhet të jetë prioritet kombëtar.

5. Përdorimi i metodave bashkëkohore të hetimit
Përdorimi i inteligjencës artificiale, teknologjive digjitale dhe analizës së të dhënave janë thelbësore për hetimin e krimeve komplekse. Kërkohet intensifikim i metodave proaktive të hetimit, përfshirë përgjimet, ndjekjet financiare dhe mbikëqyrjen elektronike, si dhe bashkëpunim i ngushtë me strukturat hetimore të Policisë së Shtetit.

6. Bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë
Ministria e Drejtësisë është e gatshme të bashkëpunojë ngushtësisht për hartimin dhe monitorimin e politikave penale, shkëmbimin e statistikave dhe përmirësimin e ndihmës juridike ndërkombëtare. Synimi ynë është një mekanizëm i përbashkët për analizën dhe ndjekjen e progresit në luftën kundër kriminalitetit.

7. Bashkëpunimi ndërinstitucional
Duhet ndërtuar një strategji e koordinuar ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK-ut, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera publike. Marrëveshjet për shkëmbimin e të dhënave, përcaktimi i pikave të kontaktit dhe transparenca ndërinstitucionale janë kyçe për suksesin në përballjen me krimin.

8. Bashkëpunimi ndërkombëtar
Pjesëmarrja aktive në strukturat si Eurojust, Europol dhe EMPACT është thelbësore për trajtimin e krimeve ndërkufitare. Krijimi i skuadrave të përbashkëta hetimore është mjeti më efektiv për ndarjen në kohë reale të provave dhe për të ndjekur penalisht krimin e organizuar ndërkombëtar.

 

Fraksion.com