Rama: Nga 1 qershori 2025 nis zbatimi i marrëveshjes së pensioneve me Italinë
Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot lajmin lidhur me faktin se marrëveshja e pensioneve me Italinë nis zbatimin nga 1 qershori 2025.
Kryeministri pohon se ky është një lajm i mirë dhe i ndarë veç për t’i dhënë vëmendjen e duhur, jashtë vorbullës së Samitit të Komunitetit Politik Europian, duke cilësuar se homologia e tij italiane Georgia Meloni e solli dokumentin final ditën e Samitit Evropian.
“Motra solli në Tiranë dokumentin final të procesit të gjatë ligjor mbi zbatimin e Marrëveshjes së Pensioneve me Italinë, që do të thotë se nga 1 qershori 2025 shqiptarët e Italisë do të nisin të përfitojnë nga kjo marrëveshje kuptimplotë për nivelin e ri të marrëdhënieve mes Shqipërisë e Italisë”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.
Marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të kontributeve për pensionet mes Shqipërisë dhe Italisë do të nis zbatimin në muajin qershor të këtij viti dhe nga kjo marrëveshje pritet të përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë dhe një numër i lartë shtetasish italianë.
Fraksion.com