AktualitetBota+Të fundit

Mesha inauguruese, Papa Leone XIV apel për unitet, dënon kapitalizmin dhe luftën

Papa Leone XIV bëri thirrje për unitet më të madh global dhe dënoi dëmet e kapitalizmit dhe pushtetit të pakontrolluar – gjatë meshës inauguruese sot në Sheshin e Shën Pjetrit – përpara dhjetëra mijëra njerëzve, përfshirë të ftuarve shtetërorë.

“Ne ende përjetojmë shumë mosmarrëveshje, shumë plagë të shkaktuara nga urrejtja, dhuna, paragjykimet, frika nga të tjerët dhe një model ekonomik që shfrytëzon burimet e Tokës dhe margjinalizon më të varfrit”, tha Papa i ri në Vatikan.

Papa Leone, ish-kardinali 69-vjeçar Robert Francis Prevost i Çikagos, tha se shpresonte që Kisha Katolike të mund të bëhej një forcë për shërim dhe pajtim.

Mesha inauguruese shënon fillimin zyrtar të tij si Papa i Vatikanit.

Që nga zgjedhja e tij si Papa i 267-të më 8 maj, ai u ka bërë vazhdimisht thirrje udhëheqësve botërorë të punojnë për t’i dhënë fund konfliktit global.

Kohët e fundit, Papa Leone XIV ofroi Vatikanin si një vend për negociata paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë.

Papa Leone konsiderohet si një ndërtues urash i moderuar, i cili mund të ndërmjetësojë midis kampeve të ndryshme brenda Kishës.

Besohet, gjerësisht se kjo është një nga arsyet pse ai u zgjodh nga konklava e kardinalëve.

Në mesazhin e tij inaugurues, Papa Leone tha se do të punonte për unifikimin e Kishës – dhe se ky kohezion mund të shërbente si shembull për të tjerët.

 

Fraksion.com