Reuters: Shqipëria e vogël, aspiruese pret samitin gjigant evropian
Udhëheqësit evropianë mbërrijnë të premten në Shqipëri për Samitin e Komunitetit Politik Evropian, një ngjarje që pritet të dominohet nga lufta në Ukrainë, por ku vendet e vogla të Ballkanit shpresojnë se vëmendja nuk do t’u mungojë edhe aspiratave për zgjerimin e Bashkimit Evropian.
Takimi zhvillohet në një moment kritik kur Ukraina dhe Rusia po përgatiten për bisedimet e para për paqe që prej fillimit të luftës.
Reuters raporton se vendi është në përgatitje të plotë për mikpritjen e liderëve. Aeroporti i Tiranës, që ndodhet në proces rikonstruksioni për shkak të një rritjeje të ndjeshme të turizmit, ka paralajmëruar ndërprerje të mundshme të fluturimeve për shkak të ngarkesës ajrore.
Kufizime të forta janë vendosur edhe në qarkullimin rrugor në kryeqytet, sidomos përreth qendrës ku do të mbahet samiti, në një strukturë të re gjigante për konferenca.
Megjithatë, rruga drejt BE-së nuk është e lehtë. Shqipëria përballet ende me probleme serioze të sundimit të ligjit, pastrimit të parave dhe mungesës së transparencës politike. Zgjedhjet e fundit, të fituara bindshëm nga kryeministri Edi Rama, janë në hetim nga prokuroria mes akuzave për manipulim nga opozita.
Kundërshtarët politikë nuk kanë qëndruar në heshtje. Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka bërë thirrje për një protestë paqësore gjatë zhvillimit të samitit.
Sipas Reuters, ekspertët ndërkombëtarë vlerësojnë se politika e jashtme aktive e Shqipërisë, përfshirë marrëveshjen me Italinë për emigrantët dhe angazhimin në investime të huaja si ajo e Jared Kushner, mund të rrisin besueshmërinë e vendit në sytë e BE-së.
Ndërkohë, edhe Kosova dhe Serbia ndjekin të njëjtën rrugë integrimi, ndonëse përplasjet mes tyre vazhdojnë të mbeten pengesë. Kosova është aktualisht nën sanksione të BE-së për rolin e kryeministrit Albin Kurti në tensionet etnike në veri, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç mori pjesë në një ceremoni përkujtimore në Moskë, në kundërshtim me qëndrimet e Brukselit.
Samiti në Tiranë, sipas Reuters, është një provë për vetëdijen politike të Evropës dhe për vendosmërinë e saj për të mbështetur jo vetëm sigurinë dhe demokracinë, por edhe aspiratat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Fraksion.com