Rama propozon aleancë ndërkombëtare përtej armatimit: Territoret ende jo anëtare të BE-së të bëhen kufij të rinj investimi
Kryeministri Edi Rama propozoi sot gjatë punimeve të samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë “një aleancë ndërkombëtare përtej armatimit”.
“Këtu në Ballkan i kemi mbijetuar luftës, bombave, konflikteve territoriale, shkatërrimit e rrënimit, e ka ndodhur gjatë jetës sonë, jo në ndonjë dokumentar të largët të arkivës bardh e zi, e kemi mësuar se paqja nuk ka konkurrentë. Ndoshta ja pse shpresa me atë Europën tjetër është më e madhe këtu”, tha Rama në fjalën e tij.
Sipas kryeministrit “euro-optimisti më i madh mes të gjithëve ne, të mbledhur këtu, në këtë shtëpi nuk jeton në Paris a Berlin, por në Tiranë e Podgoricë, ku besimi në idealin europian i ka rrënjët thellë”.
“I kemi mbijetuar kolapsit ekonomik, i kemi mbijetuar migracionit, zhvendosjes, i kemi mbijetuar lajmeve të rreme edhe përpara se sa të krijohej ky term dhe kemi mësuar se bashkëpunimi nuk ka humbës. Ndoshta ja, pse besojmë se Europa mbetet terreni më pjellor për t’i shndërruar rrjedhat e zymta të historisë, në rrugë të shndritshme për të ardhmen”, shtoi ai.
Rama tha se “Europa për ne është po aq një vend i bashkëndarë shpirtëror, sa është një mozaik rajonesh, gjuhësh e besimesh të ndryshme fetare”.
“Ndoshta ja pse ndjejmë nevojën, jo vetëm për politika të reja, por për një lloj të ri politike, një politikë, e cila ripërcakton, jo vetëm atë çfarë jemi, por edhe se si jemi së bashku mes vetes e me botën”, tha Rama.
Një politikë, sipas tij, “e cila e sheh Europën, jo si një fortesë për t’u mbrojtur, apo një muze për t’u ruajtur, por si një shpirt i përbashkët që duhet mbrojtur, një fat i të gjithëve për t’u jetuar, e një e ardhme e përbashkët për t’u ndërtuar”.
“E për ta bërë këtë, nuk duhet të investojmë vetëm tek qëndresa e tek mbrojtja, por tek zemrat e mendjet që do të mbartin me vete shpirtin e Europës, fatin e Europës dhe të ardhmen e Europës. Dhe më lini t’ju pyes: Shumë të dashur miq, pse mos të imagjinojmë një KPE të arsimit, të shkencës, e të inteligjencës artificiale? Një aleancë ndërkombëtare përtej armatimit, një terren burimesh të ndërlidhura dijeje, kërkimi shkencor, novacioni, ku territoret që nuk janë anëtare të BE-së apo ende jo anëtare të BE-së mund të bëhen kufij të rinj investimi pa burokraci, pa rregullime e barra fiskale”, tha Rama.
Rama tha se duhet “një ringjallje e asaj çfarë pasoi rënien e murit të Berlinit, ku Europa Perëndimore zbuloi gjysmën e saj lindore, e ku investimet vërshuan në drejtim të lindjes, duke tërhequr të rinjtë në përqafimin e Europës, e duke nxitur epokën e fundit të mbështetur të rritjes reale, ku nga këto investime pati dividend mjaft të lartë në këta kufij të rinj”.
Fraksion.com