PS mblidhet sot në sheshin “Skënderbej”, Rama falenderon shqiptarët: S’po i gjej dot fjalët
Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka reaguar sot pas përfundimit të numërimit të votave brenda vendit në zgjedhjet parlamentare më 11 maj, ku forca që ai drejton sipas projeksioneve të deritanishme ka fituar 83 mandate në Kuvend.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama falënderon qytetarët për besimin.
Ai bën me dije se do të mbajë një fjalim në orën 19:00 sot pasdite në sheshin “Skënderbej”.
“Duke ju rrëfyer se s’po i gjej dot fjalët për të shqiptuar sonte në 7 në Sheshin Skënderbej, ju falënderoj përgjunjësisht për besimin e patregueshëm e ju uroj një ditë të mbarë!”, shprehet Kryeministri Rama.
Sipas të dhënave paraprake të KQZ-së, numri i zgjedhësve në listën brenda vendit ishte 3.467.962 dhe kanë votuar 1.458.251 zgjedhës, duke shënuar një pjesëmarrje prej 42,21%. Janë konsideruar të vlefshme 1.402.820 vota, ndërsa 55.334 vota janë shpallur të pavlefshme.
Në vijim të përpunimit të rezultateve, KQZ njoftoi në mesnatë se procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave të zgjedhësve nga jashtë vendit është ende në vijim dhe ka përfunduar vetëm në qarkun Kukës.
Gjithashtu, po vijon procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë.
Sipas të dhënave paraprake të KQZ-së, PS ka marrë 733.149 vota, Koalicioni PD-ASHM 481.548 vota, Koalicioni Nisma-Shqipëria Bëhet 49.393 vota, Partia Socialdemokrate 47.498 vota dhe Partia Mundësia 43.022 vota.
Fraksion.com