Numërimi drejt fundit, Berisha: 11 maji ishte farsë elektorale, PD do nisë betejën për mbrojtjen e votës
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli sot para mediave në një konferencë për shtyp, ndërsa procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të 11 majit po i afrohet fundit dhe koalicioni PD-ASHM projektohet të përfaqësohet me vetëm 50 mandate në Kuvend.
Berisha e cilësoi procesin zgjedhor si një “farsë elektorale të organizuar nga Toto Rina i Tiranës, Edi Rama”, duke akuzuar kryeministrin për ndërhyrje masive dhe kriminale në votë.
Çdo orë që kalon nxjerr dokumente shkatërrimtare për farsën elektorale të 11 majit. Por jam këtu para së gjithash për të vlerësuar të gjithë komisionerët, numëruesit dhe vëzhguesit e opozitës që, përballë një presioni shtetëror, po kryejnë me përkushtim detyrën,” deklaroi Berisha.
Berisha paralajmëroi se nëse PD rikthehet në pushtet, këto grupe kriminale do të shpallen “terroriste” dhe ligji do të jetë “i tmerrshëm për ta”.