Mali i Zi dhe Ukraina arrijnë marrëveshje për bashkëpunim në fushën e sigurisë
Mali i Zi dhe Ukraina kanë harmonizuar tekstin e një marrëveshjeje për bashkëpunim dhjetëvjeçar në fushën e sigurisë, e cila pritet të nënshkruhet nga kryeministri malazias, Millojko Spajiq, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Dokumenti përfshin mbështetjen në rast sulmi të armatosur, investime në industrinë e mbrojtjes, bashkëpunim në fushën e inteligjencës, si dhe kontributin për rindërtimin e Ukrainës së shkatërruar nga lufta. Rreth 30 shtete, kryesisht anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), kanë nënshkruar marrëveshje të ngjashme me Ukrainën.
Pas nënshkrimit, marrëveshja duhet të ratifikohet nga Kuvendi i Malit të Zi, i cili aktualisht drejtohet nga Andrija Mandiq – një politikan që kishte votuar kundër rezolutës që dënonte pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022. Kuvendi, për më shumë se tetë muaj, nuk ka proceduar as propozimin për pjesëmarrjen e ushtrisë së Malit të Zi në misionin e ndihmës ushtarake të Bashkimit Evropian për Ukrainën, as në një mision të ngjashëm të organizuar nga NATO-ja.
Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Zelensky pritet në Mal të Zi
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, deklaroi më 9 maj se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mund të vizitojë së shpejti Malin e Zi dhe të nënshkruajë marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e sigurisë.
Edhe pse data e vizitës ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, përmendet 15 maji si mundësi. Megjithatë, po për atë datë përflitet edhe mundësia e një takimi të Zelenskyt në Stamboll me presidentin rus, Vladimir Putin.
Një ditë më pas, më 16 maj, Zelensky pritet të jetë në Shqipëri, për të marrë pjesë në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian.
“Mbështetje e qartë politike dhe institucionale për Ukrainën”
Qeveria e Malit të Zi e miratoi marrëveshjen më 8 maj, pas disa muajsh negociata, ku morën pjesë 14 ministri, Drejtoria për Mbrojtjen e të Dhënave të Klasifikuara dhe Agjencia për Siguri Kombëtare.
Këshilltari për siguri i kryeministrit, Todor Goranoviq, i cili udhëhoqi delegacionin malazias, tha për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja është një “hap i rëndësishëm” për forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve “në kohë sfidash për sigurinë evropiane dhe globale”.
“Shteti jonë konfirmon mbështetje të qartë politike dhe institucionale për Ukrainën, në përputhje me prioritetet e saj të politikës së jashtme – përfshirë anëtarësimin në BE – duke treguar se është pjesë përgjegjëse e koalicionit evropian të solidaritetit me Ukrainën”.
Që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022, Mali i Zi ka ofruar ndihmë ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 11.3 milionë eurosh, dhe ka pranuar përqindjen më të lartë të qytetarëve ukrainas në raport me popullsinë e vet.
Çfarë përmban marrëveshja?
Sipas marrëveshjes, dy shtetet angazhohen për konsultime në rast të një përshkallëzimi të rëndë të agresionit aktual, apo të ndonjë sulmi të ardhshëm rus kundër Ukrainës.
“Mali i Zi do t’i ofrojë ndihmë Ukrainës… e cila mund të përfshijë ndihmë të shpejtë dhe të vazhdueshme politike, të sigurisë, ushtarake, humanitare dhe ekonomike; si dhe koordinim për vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe të tjera ndaj Federatës Ruse”.
Mali i Zi tashmë është plotësisht i harmonizuar me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.
Marrëveshja parasheh edhe bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes, me qëllim përfitimesh të ndërsjella politike dhe komerciale. Parashikohet që Mali i Zi të shqyrtojë mundësinë e ndarjes së mbështetjes financiare për zhvillimin e industrisë mbrojtëse të Ukrainës, përmes investimeve në zgjerimin e kapaciteteve, furnizimin me materiale për municion dhe blerjen e produkteve ushtarake për nevojat e ushtrisë ukrainase.
Dokumenti nënvizon se Rusia duhet të mbajë përgjegjësi ligjore për luftën, për të ndihmuar në parandalimin e sulmeve të ardhshme. Të dyja shtetet ndajnë bindjen për krijimin e një tribunali për të ndjekur penalisht krimin e agresionit kundër Ukrainës.
Përveç përgjegjësisë ligjore, Rusia duhet të mbajë edhe përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara dhe për procesin e gjatë të rindërtimit të Ukrainës.
“Pasuritë sovrane të Rusisë që ndodhen në territorin e Malit të Zi, në përputhje me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, do të bllokohen derisa Rusia të kompensojë dëmet, humbjet dhe plagët e shkaktuara”, thuhet në marrëveshje.
Ndihma për rindërtimin e Borodjankës
Një nga hapat konkretë të parashikuar në marrëveshje është përfshirja e Malit të Zi në procesin e rindërtimit të Ukrainës. Autoritetet malaziase kanë zgjedhur qytetin Borodjanka për bashkëpunim.
Borodjanka ndodhet rreth 60 kilometra larg Kievi dhe është dëmtuar rëndë në fillim të pushtimit rus. Në një nga muralet e saj të famshme, paraqitet një gjimnaste që bën një qëndrim mbi rrënojat prej betoni.
Dy shtetet zotohen të kundërshtojnë propagandën e keqdashëse dhe fushatat e dezinformimit që cenojnë sigurinë kombëtare.
Fushatë proruse kundër ardhjes së Zelenskyt
Njoftimi për ardhjen e presidentit ukrainas ka nxitur një sërë artikujsh në portalin IN4S, i cili përdor gjuhë të afërt me propagandën ruse, paralajmëroi Qendra për Forenzikë Digjitale (DFC).
Disa nga titujt përfshijnë: “Qentë e luftës po vijnë në Mal të Zi: Pse neonazisti Zelensky është i mirëpritur në Podgoricë” dhe “A do ta ndjekë Podgorica shembullin e pakicës agresive nga Cetinja?”.
Sipas DFC-së, këto shkrime e përshkruajnë Ukrainën si një “varr të lirisë” dhe thërrasin Podgoricën të bëhet “simbol i rezistencës qytetare”.
“Narrativat e publikuara nga IN4S ndjekin modelet e propagandës ruse, duke e çnjerëzuar popullin ukrainas dhe duke e paraqitur si nazist”, thuhet në raportin e DFC-së.
Sipas tyre, kjo retorikë nxitëse rrezikon të thellojë ndarjet shoqërore dhe të cenojë rendin publik, sidomos në kontekstin e vizitës së paralajmëruar.
Që nga fillimi i luftës, në Podgoricë janë mbajtur disa tubime në mbështetje të Ukrainës, ndërsa mbështetja më e vazhdueshme ka ardhur nga Cetinja – qyteti i vetëm në botë ku për 100 ditët e para të pushtimit rus janë organizuar çdo ditë marshime në solidaritet me Ukrainën, dhe më pas çdo 24 të muajit./REL
Fraksion.com