AktualitetKosovaTë fundit

Avokati i Popullit ia shpreh Trendafilovës shqetësimet rreth punës së Gjykatës Speciale

Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, ka shprehur dyshimet e tij nëse në Gjykatën Speciale të Kosovës po respektohen parimet e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm të të akuzuarve, duke ngritur shqetësimet e tij rreth punës së këtij institucioni.

Qelaj ka thënë se në një takim që ka zhvilluar më 13 maj me kryetaren e Speciales, që zyrtarisht njihen si Dhomat e Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ka folur për një sërë çështjesh në lidhje me punën e institucionit që ka selinë në Hagë, “duke u bazuar edhe në shqetësimet e ngritura nga palët”.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Aktualisht, në këtë institucion, në Holandë, është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Me Trendafilovën, Qelaj “foli në lidhje me barazinë e armëve në raport me provat dhe mënyrën se si janë siguruar këto prova, e në veçanti duke iu referuar provave që sigurohen nga Republika e Serbisë, duke pasur parasysh që Serbia është një shtet që ka qëndrime armiqësore ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesë e së cilës janë të akuzuarit”, bëri të ditur një komunikatë e lëshuar nga Avokati i Popullit.

Qelaj thuhet të ketë thënë se “duke pasur parasysh mënyrën, rrugën dhe procedurat se si janë siguruar këto prova të njëjtat sa janë kredibile dhe sa mund të jenë të komprometuara në momentin kur paraqiten në gjykatë, dhe sa iu mundësohet mbrojtjes që këto prova t’i kundërshtojnë duke marrë informacione nga palët që i ka siguruar”.

Avokati i Popullit ka thënë se, “nga shqetësimet që i ka pranuar… del brengosëse mënyra se si funksionon gjykata duke u konsoliduar të gjitha nivelet e gjykatës në një strukturë të vetme, që lenë për të dyshuar në pavarësinë e gjykatave të niveleve që veprojnë brenda kësaj gjykate, dhe kjo nuk është në frymën e standardeve ndërkombëtare që garantojnë gjykimin e drejtë në raport me shkallëshmërinë e procedurës dhe që ndërlidhen pastaj me të drejtën për një mjet efektiv juridik”.

Në takimin Qelaj-Trendafilova, në Prishtinë, sipas Avokatit të Popullit “është ngritur si shqetësim edhe përgjimi i bisedave edhe vizitave në paraburgim sepse konsiderojmë se përkundër faktit se këto mund të jenë të lejuara me ligj por cenojnë parimin e privatësisë, jetës familjare edhe cenojnë mbrojtjen efektive nëse këto përgjime ndodhin edhe në raport me ekip mbrojtëse të të akuzuarve”.

Avokati i Popullit ka thënë se “konsideron se problem në vete është kohëzgjatja e paraburgimit. Kjo kohëzgjatje dhe mos ndryshimi i masave me masa tjera alternative sikur Gjykata nuk u beson institucionet e Kosovës se ata mund të garantojnë respektimin e atyre masave dhe të garantojnë një proces të rregullt dhe të papenguar”.

Sipas komunikatës nga Avokati i Popullit, Qelaj “theksoi edhe çështjen e kompensimit të viktimave që nuk janë në standard të njëjtë për të dëmtuarit që te rastet që gjykohen në Republikën e Kosovës sepse të gjithë duhen trajtuar njësoj”.

Trendafilova qëndroi në Prishtinë, më 13 maj, ku kishte paraparë të mbante një konferencë për media.

Por, një grup veteranësh, së bashku me udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, u mblodhën para hotelit ku ishte paralajmëruar të mbahej konferenca, e cila u anulua pas protestës.

Veteranët thanë se kryetarja e Gjykatës Speciale nuk ishte e mirëseardhur në Kosovë, dhe se vizita e saj përbënte fyerje për qytetarët e Kosovës.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës.

Deri më tani, kjo Gjykatë ka shpallur aktgjykime për krime lufte dhe për pengim të administrimit të drejtësisë./REL

 

Fraksion.com