AktualitetPolitikëTë fundit

U arrestua një natë para ditës së zgjedhjeve, Gjykata e Lezhës liron bashkëshortin e Elda Hotit

Gjykata e Lezhës ka lënë të lirë, duke vendosur masën “detyrim paraqitje”, bashkëshortin e deputetes së PD, Elda Hoti, Ladi Ndoja, dhe Amarildo Jushin, të arrestuar mbrëmjen e së shtunës për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Vetëgjyqësia” dhe
“Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.

Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 10.05.2025, rreth orës 20:20, këta shtetas me dy automjetet e tyre i kanë bllokuar rrugën automjetit që drejtohej nga shtetasi Renuar Kola, 46 vjeç, drejtor i arsimit, dhe A.D. (pasagjer), të dy banues në Rrëshen, me pretendimin se po kryenin veprimtari për blerje votash.

Pas kontrollit të ushtruar në automjetet e tyre, konkretisht në ato të shtetasve Ladi Ndoja dhe Amarildo Jushi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale lista me të dhëna personash (të dyshuara si lista zgjedhësish), ndërsa në automjetin e shtetasit R.K. nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm.

 

Fraksion.com