“Nuk do të lejojmë ‘trafikimin’ e votave”, Celibashi mesazh kandidatëve të listave të hapura: Kemi pamjet filmike! Nëse shohim mospërputhje…
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka publikuar një mesazh për kandidatët në listat e hapura. Në një postim në rrjetet sociale, Celibashi tha se KQZ ka marrë të gjitha masat për të garantuar integritetin e këtij procesi dhe për të parandaluar çdo tentativë për manipulim apo “trafikim” të votave.
“Siguroj të gjithë kandidatët dhe qytetarët se KQZ ka ndërmarrë masa organizative, njerëzore dhe teknike për të mos lejuar trafikimin e votave për kandidatët e listës së hapur të çdo subjekti”, tha Celibashi.
“Nëse konstatohen mospërputhje mes pamjeve filmike dhe rezultatit të vlerësimit të votave për ndonjë kandidat në listën e hapur, atëherë numëruesit apo komisionerët përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi penale”, paralajmëroi Celibashi.
Postimi i plotë:
Nisur nga disa shqetësime për integritetin e numërimit dhe vlerësimit të votave parapëlqyese, siguroj që KQZ ka marrë të gjitha masat organizative, njerëzore dhe ato teknike për të mos lejuar ‘trafikimin’ e votave për kandidatët e ‘listës së hapur’ të çdo subjekti.
KQZ ka regjistruar dhe ka pamjet filmike të procesit të numërimit dhe të vlerësimit të votave për partitë politike dhe koalicionet.
Nëse në procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave për kandidatët në ‘listën e hapur’ do të konstatohen mospërputhje tek çfarë rezulton në pamjet filmike me atë çfarë do të rezultojë në procesin e vlerësimit të votave për kandidatin, atëherë numëruesit apo komisionerët përgjegjës për këtë rast do të përgjigjen penalisht për shkeljen e rëndë të integritetit zgjedhor.
Fraksion.com