AktualitetBota+Të fundit

Bisedime të drejtpërdrejta Ukrainë-Rusi në Turqi

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe ai turk Erdogan të gatshëm për të mbështetur bisedime të drejtpërdrejta midis Ukrainës dhe Rusisë.

Në sfondin e bisedimeve të drejtpërdrejta që pritet të zhvillohen më 15 maj në Turqi për arritjen e një armëpushimi në Ukrainë, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha pas një takimi me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski se këto bisedime mund të rezultojnë në mundësi të favorshme. “Shpresojmë që kjo mundësi nuk do të çohet dëm”, theksoi Erdogan. Turqia është e gatshme të angazhohet për takimet, shtoi Erdogan. “Dua të theksoj edhe një herë se jemi të gatshëm të kontribuojmë për këto takime dhe jemi të lumtur t’i organizojmë ato”, deklaroi presidenti turk.

Pas bisedës me Erdoganin Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski shkroi në Telegram: “Ne diskutuam pikat kryesore të takimit në Turqi të cilat mund të ndihmojnë për përfundimin e luftës”. Zelenski tha gjithashtu: “Jam mirënjohës për gatishmërinë në nivelin më të lartë për të nxitur diplomacinë.”

Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi se edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, diskutoi me homologun e tij turk për çështje që lidhen me bisedimet e drejtpërdrejta të 15 majit me Ukrainën.

Trump mund të marrë pjesë në bisedimet në Turqi

Presidenti ukrainas Zelenski u shpreh gjithashtu se e përshëndet deklaratën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili kishte deklaruar se nëse zhvillohen bisedime të drejtpërdrejta midis Ukrainës dhe Rusisë ai po shqyrtonte pjesëmarrjen në këtë takim të planifikuar të enjten në Stamboll.

“Të gjithë ne në Ukrainë e përshëndesim pjesëmarrjen e Presidentit Trump. Kjo është ideja e duhur. Ne mund të bëjmë një ndryshim të madh”, shkroi Zelenski në platformën X.

Përpara nisjes për një udhëtim triditor në rajonin e Gjirit Persik, ku do të vizitojë Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se nëse ka përshtypjen se gjërat mund të lëvizin dhe nëse është e nevojshme ai mund të fluturojë nga atje për në Turqi: “Kam shumë takime, por kam menduar të fluturoj edhe për në Turqi.” – tha Trump./DW

 

Fraksion.com