Anulohet konferenca e Trendafilovës pas protestës së veteranëve
Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestuan kundër vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, në Prishtinë.
Një grup veteranësh, së bashku me udhëheqësit e OVL të UÇK-së, u mblodhën para hotelit ku ishte paralajmëruar një konferencë e Trendafilovës.
Në një reagim të përbashkët, organizatat e dala nga lufta thanë paraprakisht se vizita e kryetares së Dhomave të Specializuara është e papranueshme dhe përbën fyerje për qytetarët e Kosovës.
Ata deklaruan se vizita e saj në Prishtinë nuk ka të bëjë me drejtësinë dhe transparencën, duke theksuar se gjykata ka një qasje arrogante dhe nuk i shërben drejtësisë.
Pas protestës së veteranëve, Dhomat e Specializuara kanë anuluar konferencën e paralajmëruar për media.
Përmes një njoftimi, Dhomat e Specializuara bënë të ditur se, si pasojë e anulimit të konferencës, do t’i drejtohen opinionit publik me një komunikatë për media.
Trendafilova ka mbajtur konferenca dhe ka qëndruar edhe më parë në Prishtinë.
Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës.
Ky institucion i Kosovës, me seli në Hagë të Holandës, heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Aktualisht, në këtë institucion është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Deri më tani, kjo Gjykatë ka shpallur aktgjykime për krime lufte dhe për pengim të administrimit të drejtësisë./rel
Fraksion.com