AktualitetPolitikëTë fundit

Policia e Fierit: Arrestohet me urdhër të SPAK babai i kandidates së subjektit politik

Drejtoria Vendore e Policisë së Fierit ka dalë sot me një njoftim zyrtar, në të cilin thuhet se si rezultat i një hetimi njëmujor, në drejtimin e SPAK është dokumentuar një një rast i blerjes së votave.

Sipas njoftimit, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për ndalimin e shtetasit Pandeli Bozha 63 vjeç, banues në fshatin Portëz, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Pandeli Bozha, njohet edhe me emrin Agim Brahimllari.

“Nga hetimet dyshohet se gjatë një muaji, ai iu ka dhënë shuma parash, shtetasve të ndryshëm, me qëllim blerjen e votave në favor të kandidates së një subjekti politik”, cilësohet në njoftim.

Bozha, i cili është babai i kandidates së Partisë Socialdemokrate, Limonera Bozha, e cila është pjesë e koalicionit të drejtuar nga Tom Doshi, dyshohet për ndërhyrje dhe manipulim në procesin zgjedhor.

Materialet procedurale iu referuan SPAK, për veprime të mëtejshme.

 

Fraksion.com