“Partitë që kanë ankesa të na drejtohen ne”,
Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi vizitoi sot qendrat e votimi në Vorë, ku po zhvillohet procesi elektronik i votimit për zgjedhjet parlamentare.
Në një prononcim për mediet, Cilbashi tha se “nga komunikimet që patëm me anëtarët e KZAZ-së duket që procesi zgjedhor është duke shkuar mirë. Të paktën për aspektin e përdorimit të teknologjisë nuk ka pasur asnjë problem si për pajisjet e votimit dhe numërimin elektronik dhe për pajisjet e identifikimit”.
“Në ato dy tre qendra votimi që ne vizituam konstatuam që nuk kishte asnjë problem. Shpresoj të vazhdojë kështu edhe në pjesën tjetër të mbetur të ditës të dhe ky proces të përfundojë me sukses ashtu sikurse në të gjitha qendrat e votimit në Shqipëri”, theksoi Celibashi.
Lidhur me incidentin mes Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe një grupi qytetarësh, Celibashi tha se “e raportuan edhe anëtarët e KZAZ-së këtë situatë. Nuk di të them për momentin se mbi çfarë baze ka ndodhur ai konflikt. Por një gjë mund ta them me siguri, e kuptoj shqetësimin që ndonjë subjekt mund të ketë për momente të caktuara të procesit zgjedhor, është më me dobi që përfaqësuesit politikë t’i adresojnë këto shqetësime në KQZ”.
“E kuptoj që në terren ndonjëherë situatat nuk mund të përcillen kaq qetë sa ne mund t’i shikojmë nga tavolina e punës sonë”, shtoi Celibashi.
Kreu i KQZ-së i bëri apel përfaqësuesve politikë dhe veçanërisht kandidatëve për deputetë, të qëndrojnë sa më larg qendrave të votimit.
“Ata nuk kanë mundësi praktike, fizike, ligjore për të kontribuar në mbarëvajtjen e procesit. Mund të qëllojë jo pak herë që nisur edhe nga e mira angazhimi i tyre të prodhojë pasoja jo të mira për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, tha Celibashi.
Fraksion.com