Tentativë për blerje votash? Policia jep detaje për ngjarjen në Maqellarë: Referohen materialet në SPAK për korrupsion në zgjedhje për 4 persona
Policia e Dibrës ka njoftuar se mbrëmjen e 9 majit, rreth orës 21:15, ka marrë një telefonatë denoncimi nga shtetasi Xh.Gj., kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike, i cili ka pretenduar se përfaqësues të Partisë Socialiste po shpërndanin para në këmbim të votave në njësinë administrative Maqellarë.
Menjëherë pas sinjalizimit, në terren është dërguar një grup i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, i cili, nën drejtimin e SPAK dhe Prokurorisë së Rrethit, ka kryer veprimet e para procedurale dhe hetimore.
Të proceduar për këtë ngjarje janë shtetasit A.K., 29 vjeç; H.H., 48 vjeç; Xh.Gj., 62 vjeç (kandidati denoncues i PD-së); si dhe E.Gj., 33 vjeç.
Me datë 09.05.2025, rreth orës 21.15, në sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër ka mbërritur një telefonatë nga shtetasi Xh.Gj., (kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), i cili shprehej se në Maqellarë, përfaqësues të subjektit politik të Partisë Socialiste dyshohej që shpërndanin shuma parash në këmbim të votave, banorëve të kësaj njësie.
Menjëherë, në adresën e dhënë ka shkuar grupi i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe nën drejtimin e SPAK dhe Prokurorisë së Rrethit Dibër, janë kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore.
Për sa më sipër, u referuan materialet procedurale pranë SPAK, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e lidhur me veprat penale “Vetëgjyqësia”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”, në ngarkim të shtetasve A.K., 29 vjeç; H.H., 48 vjeç; Xh.Gj., 62 vjeç; E.Gj., 33 vjeç.
Fraksion.com