AktualitetTë fundit

Proda-efektivëve: Maturi, gjakftohtësi dhe ligj për ta përmbushur me sukses këtë detyrë të shenjtë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda u është drejtuar me një mesazh për të gjithë punonjësit e Policisë lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 11 majit.

Në ambientet e Drejtorive Vendore të Policisë përfundoi paraditen e sotme instruktazhi me punonjësit e Policisë që janë planifikuar për ruajtjen fizike të objekteve zgjedhore, ku do të zhvillohet procesi i votimit.

Në instruktazh kanë marrë pjesë drejtuesit e Drejtorive dhe të Komisariateve, të cilët u kanë përcjellë punonjësve të Policisë porositë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për angazhim, profesionalizëm, barazlargim dhe gjakftohtësi në përmbushjen e detyrave.

“Ju përgëzoj për përkushtimin dhe profesionalizmin e deritanishëm nga ana juaj dhe e drejtuesve tuaj, dhe ju inkurajoj që këto ditë finale të jenë pasaportë besimi dhe vlerësimi nga qytetarët dhe ndërkombëtarët për Policinë e Shtetit. Maturi, gjakftohtësi dhe ligji si udhërrëfyes, për ta përmbushur me sukses këtë detyrë të shenjtë në interes të qytetarëve dhe të vendit”, thekson kreu i Policisë së Shtetit, Proda në mesazhin drejtuar efektivëve në të gjithë vendin.

Të gjithë punonjësve të Policisë të angazhuar në procesin zgjedhor u janë shpërndarë librat e xhepit me detyrat që duhet të përmbushë çdo punonjës policie i angazhuar në fazën finale të këtij procesi. Ky libër është prodhuar nga Policia e Shtetit.

Punonjësit e Policisë janë shpërndarë në vendet e planëzuar për shërbim, për ruajtjen e objekteve zgjedhore.

Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, gjatë procesit elektoral, si dhe për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore.

Në bashkëpunim me OSBE-në, KQZ-në dhe me Prokurorinë e Përgjithshme, janë trajnuar 6838 punonjës police me uniformë, si dhe 813 specialistë për Hetimin e Krimeve, të angazhuar për hetimin e krimeve zgjedhore.

Gjatë fushatës elektorale, nga strukturat e Policisë së Shtetit u angazhuan maksimalisht 6500 punonjës policie, për mbarëvajtjen e aktiviteteve elektorale të zhvilluara në ambiente të hapura dhe të mbyllura.

Në të gjithë vendin janë 93 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve dhe 5225 objekte që do shërbejnë si Qendra Votimi, ditën e votimit, objekte këto që do të merren në ruajtje nga Policia, ditën e shtunë.

Rreth 5316 punonjës policie dhe automjete policie do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve.

Fraksion.com