AktualitetBota+Të fundit

Danimarka: Përdhosja e Kuranit në gjykatë

Pas rasteve të shumta të djegies së Kuranit gjatë verës së vitit 2023, Danimarka e shtrëngoi legjislacionin e saj. Tani për herë të parë filloi një proces kundër atyre që kanë përdhosur Kuranin.

Këtë të premte, vëmendja është përqendruar në ishullin danez Bornholm në Detin Baltik, ku fillon një gjykim që ka tërhequr shumë vëmendje publike. Dy burra akuzohen për “trajtim të papërshtatshëm të Kuranit”. Gjatë një festivali folklorik në qershor 2024, ata dogjën librin e shenjtë të mysliman ëvepara një publiku në një tendë dhe e transmetuan të gjithën drejtpërdrejt në Facebook.

Prokuroria daneze nuk i ka publikuar detajet rreth identitetit të të akuzuarve apo rrjedhës së saktë të ngjarjeve. Sipas deklaratave të tyre, vendimi pritet të jepet gjatë procesit.

Gjyqi i parë sipas ligjit të ri

Gjyqi në qytetin më të madh të Bornholmit, Rennes, është gjykimi i parë penal që kur hyri në fuqi një ligj i ri që kriminalizon “trajtimin e papërshtatshëm” të shkrimeve të shenjta fetare (si Bibla, Kurani ose Tora). Sipas këtij ligji, ndalohet jo vetëm djegia e shkrimeve të shenjta fetare, por edhe përdhosja, grisja ose shkelja e tyre. Shkeljet mund të ndëshkohen me gjobë, e në rastet më të rënda me dënim me burg deri në dy vjet.

Protestat në Iran kundër djegieve të Kuranit në Danimarkë
Protestat në Iran kundër djegieve të Kuranit në DanimarkëFotografi: Murtadha Al-Sudani/AA/picture alliance

Ligji hyri në fuqi më 7 dhjetor 2023, pasi disa raste të djegies së Kuranit në Danimarkë dhe Suedi shkaktuan tensione serioze ndërkombëtare. Në korrik të vitit 2023, anëtarët e grupit populist të krahut të djathtë “Patriotët Danezë” dogjën Kuranë përpara disa ambasadave të vendeve myslimane në Danimarkë.

Individë të tjerë kanë provokuar vazhdimisht reagime publike duke djegur Kuranin. Vetëm midis korrikut dhe tetorit 2023, policia daneze regjistroi më shumë se 480 raste të djegies së flamujve ose librave fetarë.

Djegia e Kuranit: Kërcënim për sigurinë e brendshme?

Këto akte provokuan reagime të nxehta, tensione diplomatike dhe protesta pjesërisht të dhunshme në botën myslimane. Ndër të tjera, u sulmua një organizatë humanitare daneze në Irak dhe pati protesta të dhunshme përpara ambasadës daneze në Bagdad.

Konsullata suedeze madje u sulmua dhe iu vu flaka. Rrjeti terrorist islamik Al Kaeda ka kërcënuar me sulme në të dy vendet, duke bërë që niveli i kërcënimit terrorist të rritet përkohësisht në nivelin e dytë më të lartë.

Incidetnet në Suedi pas djegies së Kuranit - djegie edhe të makinave dhe dhunë
Incidetnet në Suedi pas djegies së KuranitFotografi: Johan Nilsson/AP/picture alliance

Në këtë kontekst, një ligj i ri në Danimarkë duhet të forcojë sigurinë kombëtare dhe të parandalojë provokime të mëtejshme. Kur prezantoi ligjin, ministri i atëhershëm danez i Drejtësisë, Peter Humelgard, theksoi se djegia e Kuranit “dëmton Danimarkën dhe interesat e saj”.

Megjithatë, futja e ligjit të ri nuk kaloi pa polemika. Miratimi i tij u parapri nga një debat katërorësh në parlamentin danez në dhjetor 2023. Opozita dhe disa intelektualë danezë shprehën shqetësime se kjo kufizonte lirinë e fjalës. Kritikët kanë dyshuar gjithashtu për motive politike, të tilla si sigurimi i votave myslimane për kandidaturën e Danimarkës për një vend në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për vitet 2025/2026.

Është interesante që Danimarka e shfuqizoi ligjin mbi blasfeminë nga viti 1683 vetëm në vitin 2017 – dhe atëherë arsyeja ishte pikërisht djegia e Kuranit. Heqja e saj më pas u dërgoi një sinjal të qartë vendeve si Pakistani ose Arabia Saudite, të cilat ende e ndëshkojnë rëndë blasfeminë.

Edhe më parë, në Danimarkë pati disa debate rreth kufijve të lirisë së shprehjes. Në vitin 2005, gazeta daneze “Jyllands-Posten” botoi dymbëdhjetë karikatura të Profetit Muhamed, të cilat shkaktuan javë të tëra protestash në vendet myslimane.

Situatë e paqartë ligjore në Suedi

Diskutime të ngjashme po zhvillohen në Suedinë fqinje. Në dallim nga Danimarka, në Suedi djegia e Kuranit nuk është ndaluar shprehimisht deri më sot. Nëse kjo kualifikohet si nxitje e urrejtjes apo si një formë e lejuar e kritikës fetare nuk është përcaktuar ende qartë nga gjykatat suedeze.

Protestat në Suedi kundër djegies së Kuranit
Protest kundër djegies së KuranitFotografi: Loredana Sangiuliano/SOPA/ZUMA/picture alliance

Megjithatë, në disa raste, gjykatat suedeze kanë dhënë tashmë vendime – si ai kundër politikanit të ekstremit të djathtë danezo-suedez, Rasmus Paludan. Themeluesi i partisë anti-islamike, Stram Kurs, dogji disa herë Kurane në të dy vendet gjatë vitit 2023 dhe provokoi reagime të dhunshme. Në nëntor 2024, një gjykatë suedeze e dënoi atë me katër muaj burg për nxitje të urrejtjes.

Salvan Momika, që iku nga Iraku në Suedi, gjithashtu kontribuoi ndjeshëm në tensionet midis dy vendeve nordike dhe botës myslimane duke djegur një Kuran në Suedi në verën e vitit 2023.

Më vonë ai e përdhosi publikisht librin e shenjtë disa herë, gjë që shkaktoi protesta dhe trazira në Suedi dhe në mbarë botën. Më pas, ai u akuzua për “nxitje të urrejtjes”. Megjithatë, vetëm një ditë para dënimit të planifikuar, në shkurt 2025, persona të panjohur e vranë atë në ballkonin e shtëpisë së tij në Sedertelje. Menjëherë pas kësaj, një bashkëpunëtor i tij u dënua me disa muaj burg./DW

 

Fraksion.com