Rusia dhe Kina kritikojnë planin e Trump për mburojën raketore “Kupola e Hekurt”
Rusia dhe Kina të enjten kritikuan planin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për një sistem mbrojtës raketor të ngjashëm me Kupolën e Hekurt si “thellësisht destabilizues”, duke thënë se rrezikonte ta kthente hapësirën në një “fushë beteje”.
Trump urdhëroi një “Kupolë të Hekurt për Amerikën” menjëherë pas inaugurimit të tij në janar, një program për t’iu kundërvënë kërcënimeve me raketa balistike dhe hipersonike.
Plani ringjall pjesë të një plani të diskutueshëm të epokës së Reganit të quajtur “Luftërat e Yjeve” që do të kishte vendosur interceptorë raketash në hapësirë.
“Programi i shpallur së fundmi në shkallë të gjerë ‘Kupola e Artë (e Hekurt) për Amerikën’ është gjithashtu thellësisht destabilizues”, thanë Rusia dhe Kina në një deklaratë të publikuar nga Kremlini pas bisedimeve midis presidentëve Vladimir Putin dhe Xi Jinping në Moskë.
Plani “parashikon në mënyrë të qartë një forcim të konsiderueshëm të arsenalit për kryerjen e operacioneve luftarake në hapësirë”, shtoi ajo.
Të dy vendet thanë se do të fillonin bisedime për parandalimin e vendosjes së armëve në hapësirë dhe do të “kundërshtonin politikat dhe aktivitetet që synojnë arritjen e supremacisë ushtarake dhe formalizimin e përdorimit të hapësirës si fushë beteje”.
Propozimi i Trump, të cilin presidenti amerikan e ka quajtur edhe “Kupola e Artë”, i referohet një sistemi shumë të suksesshëm të përdorur nga Izraeli për të rrëzuar raketat me rreze të shkurtër veprimi.
Uashingtoni përballet me kërcënime të ndryshme raketore nga kundërshtarët, por ato ndryshojnë ndjeshëm nga armët me rreze të shkurtër veprimi që Kupola e Hekurt e Izraelit është projektuar t’i kundërshtojë.
Rusia, e cila komandon arsenalin më të madh bërthamor në botë, vitin e kaluar zbuloi një raketë të re hipersonike të njohur si “Oreshnik”, një armë që ekspertët besojnë se fluturon me 10 herë shpejtësinë e zërit.
Pekini ka ngushtuar hendekun me Uashingtonin kur bëhet fjalë për teknologjinë e raketave balistike dhe hipersonike, sipas Strategjisë Kombëtare të Mbrojtjes së SHBA-së të publikuar në vitin 2022.
Rusia dhe SHBA-të kanë shkëmbyer akuza për armatosjen e hapësirës vitet e fundit.
Fraksion.com