AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Në 11 maj marrim më e pakta 78 mandate

Kryeministri Edi Rama shprehu sot bindjen se në zgjedhjet e 11 majit PS do të marrë më e pakta 78 mandate.

Në takimin përmbyllës elektoral të zgjedhjeve të 11 majit në Tiranë, Rama ktheu në retrospektivë rrugëtimin politik të PS-së ndër vite.

“Kur ju më zgjodhët për t’ju udhëhequr këtu dhe plot dy dekada më parë, ajo majë ishte e paarritshme me sy për shqiptarët ndërkohë që ne socialistët ishim shembur përtokë. Rruga jonë për të fituar zemrat dhe mendjet e Shqipërisë nisi nga një mjegull e ftohtë e një disfate të rëndë. Na kërkoi kohë, energji, mund të madh dhe mbi të gjitha karakter të pathyeshëm edhe përballë thyerjeve më të forta”, u shpreh Rama.

Rama tha se Tirana u bë kështjella jonë ku ne projektonim, ndërtonim, transformonim papushim qytetin duke hasur në çdo hap vrazhdësinë e injorancës armiqësore të kundërshtarëve tanë politikë.

“Çfarë nuk bënë dhe çfarë nuk na bënë derisa e morën edhe Tiranën me pahirin e një grabitjeje të pabesueshme pasi u bënë të tërë bashkë me kuç, me maç dhe me minj”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se ajo përmbysje e fitores sonë epike me 10 votat që na dhanë një gëzim sa të jashtëzakonshëm, aq edhe të përkohshëm, ishte në fakt testi më i vështirë i karakterit që ne farkëtuam hap pas hapi.

Rama theksoi se “ai rrëzim poshtërues ishte sprova e fundit përpara ngjitjes së pandalshme lart të PS”.

“Dy vjet pas atij poshtërimi bashkësia jonë, familja jonë e madhe e rimori qendrën e skenës politike shqiptare ku jemi kthyer në fuqinë e pandalshme të rilindjes së Shqipërisë dhe do të qëndrojmë më të fortë se kurrë më parë pas fitores historike të dielën në 11 maj të PS-së”, tha Rama.

“Asnjë gjë, asnjëherë nuk ka qenë e lehtë për mua dhe për ju dhe ajo që kundërshtarët tanë nuk kanë për ta kuptuar kurrë është se kurrë nuk do të na mundin dot po nuk e kuptuan pse ne i mundim, çdo herë e më thellë. Ata thonë se ne nuk mundemi dot me vota. Unë jam shumë dakord me ta në këtë pikë, sepse të marrësh më shumë vota se sa ne duhet të jesh më i mirë se ne, por më të mirë se ne nuk ka”, tha Rama.

Rama u shpreh se edhe ata që janë prurje të reja nuk ngjajnë me ne, me kundërshtarët tanë të kahershëm.

“Dava humbësash, janë larg me ne, shumë larg. Ndërkohë që ne edhe artimetikisht do të ngitemi përsëri më lart, më e pakta 78 mandate”, u shpreh Rama.

Fraksion.com