Qeveria fshin gjobat e 9 viteve
Qeveria ka vendosur të fshijë automatikisht të gjitha gjobat dhe masat administrative të vendosura për ndërtimet pa leje dhe shkeljet e rregullave gjatë pandemisë, të kryera në zonat rurale. Vendimi i publikuar në Fletoren Zyrtare parashikon se shlyerja do të bëhet deri më 30 Nëntor 2024, pa qenë e nevojshme asnjë aplikim nga qytetarët.
Vendimi, i cili bazohet në ligjin nr.127/2024, përfshin strukturat e ndryshme inspektuese dhe policore si IKMT, inspektoratet vendore të territorit, AKU, ISHSH, Policinë e Shtetit dhe atë Bashkiake. Çdo institucion përgjegjës, sipas ndarjes së kompetencave, duhet të identifikojë dhe dokumentojë të gjitha masat administrative që plotësojnë kriteret për shfuqizim dhe t’i çojë ato për miratim brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit.
Subjektet që konstatojnë se masa ndaj tyre nuk është fshirë, mund të paraqesin kërkesë pranë institucionit përkatës për verifikim dhe heqje të saj. Këto masa synojnë lehtësimin e barrës administrative për qytetarët dhe bizneset në zonat rurale dhe rregullimin e situatave të mbartura ndër vite.
Fraksion.com