“Zëri i saj është thelbësor për të ardhmen europiane të Shqipërisë”, deputeti gjerman Peter Beyer mbështet Tabakun në zgjedhjet e 11 majit
Deputeti i Bundestagut gjerman dhe anëtar i Unionit Kristian Demokrat (CDU), Peter Beyer, ka shprehur publikisht mbështetjen e tij për kandidaturën e Jorida Tabakut, e cila garon në listën e hapur të Partisë Demokratike në Tiranë për zgjedhjet e 11 majit.
Në një deklaratë të drejtpërdrejtë, Beyer e cilëson Tabakun si një politikane të përkushtuar, një lidere vizionare dhe një zë të rëndësishëm europian, duke vlerësuar kontributin e saj në forcimin e institucioneve dhe afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
“Për vite me radhë, Jorida ka punuar pa u lodhur për të forcuar institucionet shqiptare dhe për të çuar Shqipërinë më pranë BE-së. Ajo është treguar një partnere e besueshme në familjen tonë të përbashkët evropiane,” – deklaroi Beyer.
Ai theksoi gjithashtu se Tabaku ka luajtur rolin e një ure komunikimi mes Shqipërisë dhe BE-së, si edhe ndërmjet Partisë Demokratike dhe Partisë Popullore Europiane (PPE), duke mbajtur qëndrime konstruktive dhe të mbështetura në parime brenda kësaj familjeje politike.
“Zërat si ai i Jorida Tabakut janë të domosdoshëm për rrugëtimin europian të Shqipërisë. Ajo përfaqëson qartësisht angazhimin për reforma reale dhe për sundimin e ligjit, transparencën dhe vlerat europiane,” u shpreh deputeti gjerman.
Duke përmbyllur mesazhin e tij, Beyer u shpreh i bindur në aftësinë e Tabakut për të përfaqësuar me dinjitet aspiratat e qytetarëve shqiptarë, duke i ftuar votuesit të mbështesin vizionin e saj në zgjedhjet e ardhshme.
Fraksion.com