AktualitetPolitikëTë fundit

“Kandidati për deputet drogën e kishte për vete”, lirohet nga qelia Ergys Isufi i “Shqipëria Bëhet”

U lirua nga policia kandidati për deputet i “Nismës Shqipëria Bëhet” i arrestuar një ditë më parë pasi u kap me kokainë.

Mësohet se Ergys Isufi, u lirua nga ambientet e Policisë së Sarandës rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, por në mungesë të një deklarate zyrtare për ndalimin e tij nuk dihet të jetë ngritur apo jo ndonjë akuzë për të.

Që nga dita e djeshme, kandidati i Adratik Lapajt në listë të hapur për zgjedhjet parlamentare, nuk do të jetë më pjesë e kësaj forcë. Adriatik Lapaj, drejtuesi i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” njoftoi largimin e tij nga koalicioni. Lapaj tha se kandidati i arrestuar nuk përfaqëson më Koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Megjithatë, vetëm pak ditë më parë, në prezantimin që koalicioni i bënte këtij kandidati, vlerësohej figura e Ergys Isufit, teksa thuhej se është inxhinier elektrik me eksperiencë në menaxhimin e projekteve të mëdha infrastrukturore dhe energjetike brenda dhe jashtë vendit.

Ergys Isufaj u ndalua një ditë më parë nga policia teksa udhëtonte së bashku me një person tjetër të mitur, nga Saranda drejt Borshit aty ku edhe do të kishte një miting elektoral dhe më tej do të nisej në Tiranë për të marrë pjesë në takimin përmbyllës të fushatës që do të mbante sot “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Gjatë kontrollit kandidatit iu gjet doza e kokainës që burimet thonë se dyshohet ta kishte për përdorim vetjak. Gjatë kontrollit, Isufi fillimisht ka tentuar të largohet, por është ndaluar dhe neutralizuar nga uniformat blu.

Gjatë ditës së djeshme u ushtruan kontrolle edhe në banesën e Ergys Isufit, por nuk i gjetur asgjë e jashtëligjshme.

 

Fraksion.com