Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, Rama: Punë e jashtëzakonshme për standarde të kategorisë më të lartë ndërkombëtare
Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot aeroportin ndërkombëtar të Vlorës si një projekt tejet sfidues.
Në fjalën e tij në ceremoninë e organizuar me rastin e kryerjes së fluturimit të parë certifikues në këtë aeroport, Rama tha se “shpreh besimin se kjo shqiponjë dykrenare që është krijuar në trupin e aeroportit të Vlorës me burime njerëzore nga Kosova dhe Shqipëria do ta ngrejë shumë lart emrin e këtij aeroporti për cilësinë e shërbimit, sigurinë dhe natyrisht edhe për nivelin e buzëqeshjes që e pashë sot me shumë kënaqësi”.
“Falënderoj të gjithë ata që besuan dhe punuan për këtë projekt që nuk ka qenë aspak i lehtë, ka qenë tejet sfidues dhe mjafton të shohësh pak më larg se si i gjithë aeroporti është ngritur 2 metra nga sipërfaqja e terrenit, pasi terreni këtu është 2 m nën nivelin e detit dhe sa punën e jashtëzakonshme është bërë në pjesën e padukshme për të garantuar një platformë solide të kategorisë më të lartë ndërkombëtare dhe me të gjithë parametrat e cilësisë, të cilat do të certifikohen nga institucionet ndërkombëtare”, nënvizoi Rama.
Më tej Rama adresoi një prej opinioneve të ndjekësve të tij në rrjetet sociale.
“Më ka cimbsur prej dtësh kur ne thamë do të ulim avionin e testimit në pistën tanimë të përfunduar dhe ky opinion thotë që ky është fluturim ‘fake’ që do të bëhet vetëm për propagande dhe pastaj aeroporti do mbetet si Kukësi”.
“Është e vërtetë aeroporti i Kukësit ka pasur një sfidë më vete për të siguruar operatorët përkatës. Nuk është një aeroport i thjeshtë ka një problematikë me korridorin e uljes që e kemi thënë qysh atëherë dhe nga ana tjetër për të pasur operatorët që punojnë në një aeroport duhet të krijosh besimin e duhur se nuk do të jetë një operacion me humbje të paarsyeshme si fillim”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “operatori që operon aeroporti ka bërë përpjekje për të lidhur marrëveshje, për të bërë kontrata, mirëpo nuk e ka gjetur dot në kohë një akullthyes që do të dëshmojë se ai aeroport ia vlen. Siç ndodhi me aeroportin e Tiranës, ai ishte më i shtrenjti i Europës, ne trashëguam aeroportin më shtrenjtë të Europës dhe ata që e kontrollonin aeroportin, koncesionari trashëguar kishin arritur t’i impononin shtetit shqiptar një kontratë që është unikale në llojin e vet, pasi kishin marrë nga shteti dhe monopolin e vendimmarrjes. Që do të thotë që shtetit shqiptar nuk mund të hapte dot një aeroport tjetër pa marrë lejen e tyre. Në kontratën që ata kishin me shtetin kishte një klauzolë që në një rreze prej 100 km nga aeroporti i Tiranës nuk mund të kishte një aeroport tjetër gjë që përjashtonte Vlorën”.
Fraksion.com