AktualitetKosovaTë fundit

Vazhdojnë përpjekjet për konstituimin e Kuvendit

Deputetët mblidhen për përpjekjen e 12-të radhazi për ta konstituuar Kuvendin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Deputetët zënë vendet e tyre dhe seanca ka filluar. 113 deputetë janë të pranishëm në sallë. Por, nuk është e qartë nëse ata kanë gjetur pajtueshmëri për ta konstituuar Kuvendin, as tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Procesi ka ngecur prej javësh pasi partia fituese, LVV, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Ajo shihet nga disa parti parlamentare si “figurë përçarëse”, por LVV ngul këmbë se ajo është kandidate meritore.

Së voni ka pasur lëvizje për zhbllokimin e ngërçit, por asnjë marrëveshje për një gjë të tillë.

LVV i ka kërkuar marrëveshje LDK-së, e cila ka refuzuar dhe kërkon qeveri tranzitore mes partive parlamentare.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.

Përfaqësues të pakicave kritikojnë LDK-në për përjashtim nga ftesa për qeveri trancizionale

Elbert Krasniqi, nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), e kritikoi ftesën e kryetarit te Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, që partitë politike shqiptare të bëhen bashkë për një qeveri tranzicionale.

“Kjo qasje përjashtuese nuk është në frymën e Republikës së Kosovës, në frymën multietnike të Republikës së Kosovës”, tha Krasniqi, përkrah Emilija Rexhepit, nga Partia e Re Demokratike, dhe Nenad Rashiqit, nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Në konferencën e mbajtur dje, Abdixhiku bëri ftesë që partitë politike shqiptare të bëjnë një qeveri tranzicionale, pa përmendur minoritetet. Por, në letrën e tij të dërguar Albin Kurti të LVV-së, ai i përmend edhe pakicat, të cilat propozon të marrin pjesë gjithashtu “sipas dispozitave kushtetuese”.

Limaj: Ka disa lëvizje

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se ka disa lëvizje nga seanca e kaluar konstituive, pa dhënë më shumë hollësi.

Ai nuk deshi të tregojë nëse do t’i përgjigjet ftesës së Lidhjes Demokratike për takim për formimin e një qeverie tranzitore.

“Të shohim se si do të shkojnë gjërat sot në seancë. Ka disa lëvizje. Ka propozime dhe komunikime me letra”, tha shkurt Limaj teksa hyri në ndërtesën e Kuvendit për seancën konstituive.

Fatmir Limaj.

Fatmir Limaj.

Haradinaj: Nuk marr pjesë në takim me Vetëvendosjen

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se ai nuk do të pranonte të marrte pjesë në një takim konsultativ për qeveri tranzicionale nëse në tavolinë është edhe Lëvizja Vetëvendosje.

“Ftesa për konsultë nuk ka gjë të keqe. Nuk ndryshon qëndrimi sa i përket qeverisë së opozitës, por po ashtu nuk na pengon ftesa e LDK-së për konsulta”, tha Haradinaj, duke iu referuar ftesës së një ditë më parë të LDK-së që të gjitha partitë politike shqiptare të bashkëpunojnë për qeveri tranzicionale deri vitin e ardhshëm.

Ai tha se do të pranonte takime bilaterale me LDK-në apo trilaterale me LDK-në dhe PDK-në.

Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

 

Fraksion.com