Rama: Ushtria shqiptare me pagën më të lartë në rajon
Kryeministri Edi Rama njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, nga Kruja, ku zhvilloi takimin përmbyllës elektoral, deklaroi se pagat do të vijojnë të rriten edhe në mandatin tjetër të qeverisjes.
Rama bëri të ditur se pagat e mjekëve nga 1670 euro sot do të shkojnë në 2030-ën 2 mijë euro, ndërsa paga e mësuesve nga 950 euro që është sot do të shkojë 1250 euro.
Njëkohësisht, Rama theksoi se Shqipëria ka sot pagën më të lartë për ushtrinë, duke tejkaluar edhe Serbinë, pavarësisht se ka një ushtri më të madhe.
“Kemi rritur investimet në buxhetin e mbrojtjes. Kemi pasur ushtrinë më të keqpaguar, keqpajisur, me buxhet qesharak. Sot buxheti është rritur 10-fish dhe paga mesatare ka shkuar 1550 euro. Kjo ka sjellë rritje të interesit tek të rinjtë që të futen në rrugën e karrierës ushtarake”, deklaroi Rama.
Më tej, ai foli për mbështetjen sociale, ku theksoi se për mbrojtjen sociale shpenzohen rreth çerek miliardi, për t’iu gjendur atyre pranë.
Rama veçoi shërbimin për fëmijët me aftësi të veçanta, për të cilët informoi se mbështetja për nënat e tyre do të dyfishohet nga 1 janari 2026.
Rama, po ashtu deklaroi se papunësia për gratë ka shënuar rënie.
Kur PS erdhi në pushtet vetëm 50% e grave të afta për punë merrnin pjesë në forcat e punës. Sot janë 70%”, deklaroi Rama.
Sipas kryeministrit, qeveria në mbështetje të forcimit të familjes po zbaton edhe një tjetër politikë sociale, atë të pagesës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për nënat me 3 a më shumë fëmijë, në mënyrë që ato të mos mbeten pa pension. Rama tha se nga kjo politikë përfitojnë 9200 nëna.
Nga viti i ardhshëm, theksoi ai, ndryshon edhe pagesa mbështetëse për bebet, duke mos shpërndarë më bonuse, por duke dhënë mbështetje financiare çdo muaj, sipas numrit të fëmijëve.
Fraksion.com