Rama: Po të funksiononin lobimet SHBA s’do të ishte superfuqi, “bufi” fatkeqësi kombëtare
Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste televizive u ndal edhe tek kontrata 6 milionëdollarëshe e Partisë Demokratike, duke theksuar se “po të funksiononin lobimet SHBA s’do të ishte superfuqi”.
“Lobimet në shtetin më të fuqishëm, mua më ka mësuar eksperienca ime, që janë mënyra më e thjeshtë dhe më finoke e Shteteve të Bashkuara për të marrë para nga të katër anët, nga ata që s’dinë si funksionojnë Shtetet e Bashkuara. Kështu janë për mua ato lobime”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama tha se “po të funksiononin lobimet, imagjino sa janë nëpër botë shtetet që mund të kishin blerë Amerikën deri tani 35 herë. Ku funksionojnë lobimet në Amerikë? Lobimet janë për t’i bërë masazh atyre që paguajnë. Janë masazhe. Është njësoj si të rregullosh me masazh një problem struktural, nuk e rregullon dot. Një masazh, të nxjerr një artikull në një gazetë të dorës së dytë. Del një kongresmen bën një deklaratë. Janë dy senatorë që nuk e dinë fare ku bie Shqipëria që dalin në fotografi. Këto janë lobime, ça lobimesh? Lobim për të lobuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku lobohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës?!”.
Duke folur për kreun e opozitës Rama tha se “”bufi” është një fatkeqësi kombëtare”.
“Unë nuk them kush nuk më voton mua, është gjysmak. Po, sepse është e vërtetë, të mos jesh në gjendje të gjykosh pastër politikisht, të shkosh mbas “bufit” këndej. Voto kë të duash, ka të tjerë plot. Mos voto fare, dil bëj një parti tjetër, dil bëj revolucion, bëj ça të duash, por të legalizosh atë lloj qasje, që është një qasje monstruoze ndaj kulturës shqiptare, ndaj mënyrës së të folurit shqip me tjetrin pa respektuar asnjë etikë, pa respektuar asnjë normë, t’i ndash njerëzit: kush është me mua është qëndrestar, kushdo tjetër është mafioz, është kriminel”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama tha se Berisha është pengmarrësi i opozitës.
“Të jesh tifoz pas një krijese të atillë, që është fatkeqësi kombëtare, që është pengmarrësi i gjithë opozitës me vite. Është pengmarrësi i opozitës, është fatkeqësi”, tha Rama.
Fraksion.com