AktualitetPolitikëTë fundit

“Pas 2013 Shqipëria u mbulua me drogë e krim”, Berisha nga Elbasani: Ndodhi një rrokullisje që nuk kishte ndodhur kurrë më parë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ndal në mbrëmjen në qytetin e Elbasanit, në takimin përmbyllës së fushatës elektorale, ku solli në vëmendje regjimin 12-vjeçar, sipas tij.

Berisha deklaroi se pas 2013-s vendi u mbulua me drogë dhe krim, ku shqiptarët u bënë më të keqpaguarit në rajon dhe mijëra u detyruan të largohen.

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta qytetare dhe qytetarë të Elbasanit, përulem me mirënjohjen më të pakufishme para jush, qytetarëve të mrekullueshëm të këtij qyteti që ka rrezatuar dhe rrezaton dritë, mirësi dhe virtyte në Shqipëri dhe mbarë kombin shqiptar.

Miqtë e mi, ne shqiptarët jemi të vetmit që pasi u çliruam me guximin tonë nga diktatura më e egër staliniste, 30 vite më vonë ramë në një regjim në të cilin ligjin e bëjnë bandat, e bën qeveria e lidhur me bandat.

Në të cilin qytetarët e mirë të Elbasanit, kurrë mos harroni, ai që erdhi në pushtet në vitin 2013, ai kalonte nga një ekran në tjetër me hekura në dorë, u tregonte qytetarëve hekurat duke treguar se është i biri shpirtëror i Enver Hoxhës, është pasardhës biologjik i Spiro Kolekës, njeriut që do thërriste për tanke dhe mitraloza kundër nesh në vitin 1990.

Miq, 12 vite në Shqipëri u ndërtua një regjim, i cili jo me hiperkolektivizim, jo me konfiskime, por me mekanizma të tjerë i varfëroi shqiptarët në atë shkallë varfërie sa asnjë prej kombeve të tjera përreth.

Në vitin 2013, ne nuk ishim të mëkëmbur, por qytetarët e Elbasanit, pensionistët e Elbasanit dhe të Shqipërisë, paguheshin më mirë se të gjithë qytetarët e rajonit.

Në vitin 2013, njerëzit lëviznin lirshëm, por përsëri shqiptarët në Shqipëri dhe Elbasan, shtoheshin çdo vit e më shumë.

Në vitin 2013, ndodhi rotacioni i pushtetit, një akt madhor në demokracinë e çdo vendi. Por u zgjodh pas këtij viti që Shqipëria të mbulohej me drogë dhe krim.

Pas këtij viti pensionet dhe rrogat u ngrinë. Sofra u pakësua. Nuk ushqente më të gjithë anëtarët e familjes.

Vendet e punës filluan të shkatërrohen.

Fëmijët, të rinjtë u detyruan të marrin rrugët e dheut.

Ligjin e morën në dorë bandat dhe banditët.

Miq, ligji, i cili duhet të garantojë liritë dhe të drejtat e qytetarëve, pronën e tyre, u mor në dorë nga ministra, kryeministri dhe bandat e tjera dhe u përdor kundër qytetarëve.

Varfëria u rrit nga viti në vit.

Çmimet kapën stratosferën.

Dhe ne e gjetëm veten përsëri më të keqpaguarit njerëz të rajonit.

E gjetëm veten me çmimet më të larta në rajon dhe në botë.

Me mijëra biznese u mbyllën.

Me mijëra ferma falimentuan.

Në 10 vite, sa asnjë komb tjetër në Europë dhe botë, 45 përqind e shqiptarëve u larguan nga Shqipëria.

Pra, ndodhi një rrokullisje që nuk e kishim njohur kurrë në histori.

Por është në meritën tuaj, në guximin tuaj, në atdhedashurinë tuaj, qytetarë të Elbasanit dhe Shqipërisë, që rikthyet shpresën këtë pranverë.

Që e shndërruat këtë pranverë në pranverën e shpresës, besimit dhe fitores.

Ndaj dhe unë kam mirënjohje të pakufishme ndaj jush.

Ndaj dhe unë jam sot para jush për t’u dhënë fjalën, për t’u zotuar në mënyrë më solemne se në 100 ditë dhe vetëm në 100 ditë do të nxjerrim jashtë çdo vatre shqiptare varfërinë e skajshme.

Do përjashtojmë mjerimin nga Shqipëria.

Se në 100 ditë, çdo pensionist që sot merr një pension në 172 lekë dhe janë rreth 560 mijë, do marrë një pension 200 euro.

Se çdo rrogëulët do marrë një rrogë jo më pak se 500 euro.

Se çdo pensionist dhe rrogëulët do marrë ushqimet dhe gjërat bazë 20 përqind më lirë se të tjerët.

Se çdo qytetar shqiptar do paguajë energjinë me 7 lekë.

Se çdo qytetar shqiptar do ketë një ulje të çmimit të naftës me të paktën 40 përqind.

Ndaj jam sot këtu në këtë shesh për një zotim solemn se në 100 ditë, çdo biznesmen i Elbasanit do e paguajë energjinë tre herë më lirë, nga 18 në 6 lekë.

Jam këtu për t’u dhënë fjalën bizneseve të vogla se kurrë bashkitë nuk do tatojnë më shumë se 1 përqind të xhiros.

Se sipërfaqja publike do pjesëtohet me 5 herë tarifa e saj.

Do përgjysmohet çmimi i ujit për to.

Do rritet tavani në 180 mijë euro për tatim fitimin dhe TVSH-në.

TVSH-ja do ulet në 15 përqind.

Çdo biznes që paguan tatim fitim, do e paguajë vetëm 10 përqind. 13 përqind më pak pra.

Çdo rrogëtar që paguan tatim fitimin mbi të ardhurat 23 përqind, do paguajë 10 përqind dhe do ketë një rritje imediate të rrogës me 13 përqind.

Fraksion.com