AktualitetTë fundit

Motra e 34-vjeçarit të vrarë në Has rrahu prindërit e Ylber Jakut. Mbi 20 kallëzime në vite në polici

Zbardhen detaje të reja nga vrasja në Has, ku një person mbeti i vdekur si pasojë e një konflikti që dyshohet ka nisur për motive pronësie.

Gazetarja e News24, Klodiana Lala raporton për BW se dy ditë më parë, Artjola Sallahu, motra 21-vjeçare e viktimës Rushit Sallahu, që u vra sot nga Ylber Jaku në fshatin Pla në qarkun e Kukësit, ka dhunuar fizikisht dy prindërit e autorit të krimit.

Si pasojë e dhunës, të dy të moshuarit janë shtruar në spitalin e Traumës, ku nëna e autorit Ylber Jaku ka thyerje të legenit.

Për këtë konflikt, motra e viktimës është arrestuar një ditë më parë dhe ndodhet në burg.

Policia e Kukësit njoftoi dje (e marte 6 maj) se  specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has arrestuan në flagrancë shtetasen A. S., 21 vjeçe, banuese në fshatin Pla, e cila  dyshohet se gjatë konfliktit për motive pronësie, kjo shtetase ka goditur me mjete të forta, shtetasit A. J., 65 vjeç dhe V. J., 60 vjeçe (bashkëshortë).

Gjatë ditës së sotme, autori Ylber Jaku 41-vjeç ka vizituar të moshuarit në spital dhe duke parë gjendjen e tyre të rëndë shëndetësore si pasojë e dhunës, ka rrëmbyer armën dhe ka vrarë në fshat vëllain e vajzës që dhunoi të moshuarit.

Gazetari i News24, Igli Çelmeta raporton se familja Jaku ka bërë mbi 20 kallëzime ndër vite për konfliktin.

Kallëzimet janë bërë nga babai i autorit i cili u kërkonte institucioneve zgjidhjen e konfliktit.

Nga të shtënat me armë zjarri në fshatin Pla, humbi jetën Rushit Sallahu 34 vjeç, ndërsa autori është identifikuar si Ylber Jaku 41 vjeç. Ky i fundit është prangosur nga policia, ndërsa është sekuestruar edhe arma e krimit.

 

Fraksion.com