“Kavaja ka disa data që nuk mund t’i harrojë”, Spiropali: Ecim drejt Europës, duke lenë pas fantazmat e komunizmit dhe idhujt e rremë të tranzicionit
Në mitingun përmbyllës, organizuar sot në Kavajë, me prezencën edhe të Kryeministrit dhe Kryetarit të PS Edi Rama, drejtuesja politike e qarkut Tiranë Elisa Spiropali, nënvizoi mes të tjerash:
“Kavaja ka disa data që nuk mund t’i harrojë.
Në mars 1992 Kavaja, ashtu si gjithë Shqipëria, i vuri kapak një rregjimi që kishte shtypur e varfëruar shqiptarët dhe hapi një kapitull të ri në historinë e Shqipërisë.
Prandaj në 11 maj 2025, Kavaja do t’i vejë kapak zhgënjimit të saj dhe do të hapë kapitullin e Kavajës europiane dhe të Shqipërisë europiane.
Në vend të shëmbëlltyrave të këqia të komunizmit, në vend të idhujve të rremë të tranzicionit, Kavaja do të zgjedhë destinacionin e saj europian, të cilin e bën të mundur vetëm Partia Socialiste dhe Edi Rama.
Kavaja nuk do të mbetet peng i një partie, e cila edhe vetë është peng i një njeriu, që lufton jo për Kavajën dhe Shqipërinë, por për hallet e tij personale e familjare.
Sot, 35 vjet më pas protesëts së parë kundër regjimit, Kavaja dhe Shqipëria janë më afër se kurrë ëndrrës europiane. Sot, kemi në tryezë një plan të dakordësuar me BE-në, për t’i mbyllur negociatat në 2027 dhe për tu anëtarësuar brenda kësaj dekade, për të hyrë në këtë perimetër të madh lirish e të drejtash dhe të jetojmë me dinjitet e të barabartë me qytetarët europianë.
Gjatë kësaj fushate u takuam me ju, motra e vëllezër cep më cep, shtëpi më shtëpi, lagje më lagje dhe fshat më fshat.
Bashkëbiseduam me qytetarë, profesionistë, sipërmarrës, fermerë, gra e vajza, me të rinj dhe votues për herë të pare, pensionistë e veteranë, ish të persekutuar, romë e egjiptianë, dhe gjetëm ngado mbështetjen tuaj, që është një frymëzim i madh për ne.
Prandaj jemi të bindur se në 11 maj Kavaja dhe Rrogozhina do të shënojnë një nga fitoret më të bukura në historinë e Partisë Socialiste, në qarkun e Tiranës dhe në Shqipëri.”.
Fraksion.com

