Haxhiu: Votimi i fshehtë është demokratik
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se nuk e kupton pse disa parti parlamentare nuk e pranojnë votimin e fshehtë për emërimin e saj.
“Për mua është i paqartë qëndrimi i tyre për të mos marrë pjesë në votim për komisionin për votimin e kryetarit në mënyrë të fshehtë. Votimi i fshehtë është shumë demokratik për shumë pozita në Kosovë”, tha Haxhiu.
Lidhja Demokratike, Partia Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Lista Serbe nuk morën pjesë fare në votim për një komision që do ta kishte mbikëqyrur votimin e fshehtë për kryeparlamentar.
Në lidhje me propozimin e liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për qeveri tranzitore me të gjitha partitë parlamentare, Haxhiu tha se është e “papranueshme të injorohet vullneti i qytetarëve”.
Kujtojmë se deputetët dështuan edhe në përpjekjen e 12-të për ta konstituuar Kuvendin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Procesi ka ngecur prej javësh pasi partia fituese, LVV, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Ajo shihet nga disa parti parlamentare si “figurë përçarëse”, por LVV ngul këmbë se ajo është kandidate meritore.
Seanca dështoi për herë të 12-të sepse nuk u votua një komision për votim të fshehtë për kryeparlamentar.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.
Fraksion.com