AktualitetBota+Të fundit

Friedrich Merz: Kush është kancelari i ri gjerman?

Friedrich Merz u zgjodh më në fund kancelar i Gjermanisë. Kryetari i CDU-së mori 325 vota – ndërsa për shumicën e nevojshme për kancelar nevojiteshin 316 vota. Në raundin e parë, Merz kishte dështuar.

Kryetari i partisë konservatore gjermane Unioni Kristian-Demokrat (CDU), Friedrich Merz, nuk e pati të lehtë fillimin në detyrën e re. Në raundin e parë të votimit në Bundestag më 6 maj 2025, Merz nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme prej 316 votash. Por në raundin e dytë ai mori 9 vota më shumë se ç’i nevojiteshin për t’u zgjedhur kancelar. Ishte hera e parë në historinë e Gjermanisë që një kandidat për kancelar refuzohet në votimin e parë – një tjetër pengesë në një karrierë politike me ulje-ngritje.

Friedrich Merz bën betimin si kancelar para kryetares së Bundestagut Julia Klöckner, pas votimit të dytë në parlament më 6 maj 2025 në Berlin.
Kryeparlamentarja gjermane Julia Klöckner merr betimin nga kancelari i ri FriedrichFotografi: Ralf Hirschberger/AFP

Kthim pas 12 vitesh në politikë

Merz, ish-kryetar i grupit parlamentar të Unionit, u rikthye në Bundestag në vitin 2021, pas një mungese 12-vjeçare nga politika. Në moshën 69-vjeçare ai bëhet kancelari më i moshuar i Gjermanisë që nga Konrad Adenauer, i cili mori detyrën në moshën 73-vjeçare.

Angela Merkel, kryetare e CDU-së, Friedrich Merz, kryetar i grupit parlamentar CDU/CSU, dhe Edmund Stoiber, kryeministër i Bavarisë dhe kandidat për kancelar nga Unioni, gjatë një konference për shtyp për zgjedhjet parlamentare të vitit 2002, më 21 qershor në Berlin.
Në vitin 2002, Friedrich Merz dëshironte të bëhej kandidati për kancelar i CDU/CSU, por Unioni vendosi të mbështeste Edmund Stoiberin, asokohe kryeministër i Bavarisë dhe kryetar i CSU-së.Fotografi: dpa/picture alliance

Karriera politike e Merz-it ndahet në dy faza: përpara dhe pas epokës Merkel. Në vitin 2002, kur Angela Merkel mori drejtimin e grupit parlamentar të CDU-së dhe më vonë u bë kancelare, Merz u tërhoq nga skena politike. Ai kishte ambicie për postin e kancelarit që herët, por CDU/CSU zgjodhi si kandidat Edmund Stoiberin, i cili humbi përballë Gerhard Schröderit. Më pas Merz u përqendrua në karrierën si jurist dhe nuk kandidoi më për Bundestagun në 2009.

Jurist, menaxher, orator

Me origjinë nga rajoni Sauerland në perëndim të Gjermanisë, Merz është katolik dhe jurist, si babai i tij. Në vitin 1989 u zgjodh deputet në Parlamentin Europian, ndërsa në vitin 1994 kaloi në Bundestag. Dallohej për stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe oratorinë e fuqishme.

Gjatë periudhës larg politikës Merz u bë figurë qendrore në sektorin financiar. Nga 2016 deri më 2020, ai ishte kryetar i bordit mbikëqyrës të BlackRock në Gjermani – një fakt që për disa është avantazh, por për kritikët mbetet pikë e dobët për shkak të mungesës së përvojës qeveritare.​​

Angela Merkel,dhe Friedrich Merz, kryetar i grupit parlamentar të CDU/CSU, duke biseduar dhe qeshur
Fillimi i një epoke të re në CDU – Merkel dhe Merz në prag të ndryshimeve të mëdha (2000)Fotografi: Michael Jung/dpa/picture alliance

Kurs më konservator

Merz përfaqëson një krah më konservator brenda CDU-së. Ai nuk e mbështeti kriminalizimin e përdhunimit brenda martesës në vitin 1997 dhe ka qenë mbrojtës i fortë i energjisë bërthamore. Po ashtu, ai bën thirrje për më pak burokraci dhe më shumë përgjegjësi individuale.

Në vitin 2023 ai shkaktoi debat me kritikat ndaj integrimit të refugjatëve: “Ka njerëz që nuk kanë ç’kërkojnë në Gjermani… që i tolerojmë prej kohësh duke mos i deportuar, dhe pastaj habitemi kur shohim se si baballarët u mohojnë mësuesve – sidomos mësueseve – çdo autoritet mbi fëmijët e tyre, që sillen sikur të ishin ‘pashallarë të vegjël’.”

Rënie e besueshmërisë

Edhe pse fitoi zgjedhjet në shkurt 2025, popullariteti personal i Merz-it ka rënë. Vetëm 21% e gjermanëve e konsiderojnë të besueshëm, sipas një sondazhi të muajit prill. Vetëm 40% e shohin si lider të fortë dhe 27% mendojnë se ai “e kupton çfarë i shqetëson njerëzit”.

Friedrich Merz me pamje të përqendruar në sallën e Bundestagut në Berlin, ditën kur u mbajt raundi i dytë për zgjedhjen e kancelarit të ri të Gjermanisë, më 6 maj 2025.
Me fytyrë të tendosur dhe të lehtësuar, Friedrich Merz ndjek zhvillimet në Bundestag gjatë raundit të dytë të votimit më 6 maj 2025 – pasi nuk arriti të zgjidhej në raundin e parë.Fotografi: Fabrizio Bensch/REUTERS

Rënia e besueshmërisë lidhet edhe me manovrat e tij politike: në janar 2025 CDU miratoi një mocion në Bundestag me votat e ekstremit të djathtë AfD – diçka që Merz e kishte përjashtuar më parë. “Ne nuk do të bashkëpunojmë me partinë që e quan veten Alternativa për Gjermaninë,” deklaroi ai më 3 shkurt. Po ashtu, në mars ra dakord me SPD dhe Të Gjelbrit për të zbutur frenën e borxhit, duke hapur rrugë për 1 trilion euro kredi – një kthesë që i zemëroi votuesit konservatorë.

Mesazh për Donald Trump

Në politikën e jashtme Merz është pro dërgimit të raketave Taurus në Ukrainë – duke kaluar vijën e kuqe të paraardhësit Olaf Scholz. “Nuk jemi palë në këtë luftë dhe nuk duam të bëhemi të tillë. Por as nuk jemi spektatorë të painteresuar,” tha ai në një intervistë për ARD më 28 prill.

Merz dhe Zelenski
Zelenski dhe Merz: Merz është për mbështetje ushtarake të Ukrainës, edhe me raketat TaurusFotografi: Efrem Lukatsky/AP Photo/picture alliance

Merz kërkon që Gjermania të marrë rol udhëheqës në Evropë dhe NATO. “Mesazhi im për Donald Trump është: Gjermania është kthyer në rrugën e duhur,” deklaroi ai më 9 prill. “Ne do të përmbushim detyrimet për mbrojtjen dhe do të forcojmë aftësinë tonë konkurruese – jo vetëm për Gjermaninë, por për gjithë BE-në.”

Udhëtimet e tij të para si kancelar janë simbolike: Paris, Varshavë. Dhe, shumë shpejt, ndoshta edhe Tirana, ku më 16 maj mbahet takimi i radhës i Komunitetit Politik Evropian.

 

Friedrich Merz zgjidhet Kancelar i Gjermanisë

Friedrich Merz u zgjodh Kancelar i Gjermanisë nga Bundestagu në raundin e dytë të votimit të martën. Ai mori në raundin e dytë nëntë vota më shumë se shumica absolute e nevojshme për zgjedhjen e kancelarit.

Lideri konservator gjerman Friedrich Merz u zgjodh Kancelar i Gjermanisë nga parlamenti federal Bundestag në raundin e dytë. Në votimin e fshehtë ai mori 325 vota pro dhe në këtë mënyrë 9 vota më shumë se shumica e nevojshme prej 316. Grupet parlamentare të koalicionit CDU/CSU dhe SPD kanë 328 vende në Bundestag.

Suksesi erdhi pasi më parë aleanca CDU/CSU me Socialdemokratët (SPD) pa pritur nuk arriti shumicën e nevojshme absolute për Kancelarin në përpjekjen e parë.

“Ju falenderoj për besimin dhe e pranoj zgjedhjen”, deklaroi Friedrich Merz, pasi u pyet nga Presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner “a e pranon zgjedhjen”.

Pas kësaj, Friedrich Merz udhëtoi në Pallatin Bellevue: Presidenti Frank-Walter Steinmeier i dorëzoi Friedrich Merzit dokumentin e emërimit zyrtar si Kancelar.

I kthyer në Bundestag, Friedrich Merz bëri betimin si Kancelar mbi tekstin e origjinalit fillestar të Ligjit Themelor, kushtetutës së Gjermanisë, të sjellë posaçërisht në sallë, me këto fjalë: “Unë betohem se do t’ia kushtoj fuqinë time mirëqënies së popullit gjerman, të shtoj dobitë për të, ta mbroj atë nga dëmet, se do të ruaj dhe mbroj Ligjin Themelor dhe ligjet e federatës, se do t’i plotësoj me ndërgjegje detyrimet e mia dhe do të ushtroj drejtësi përballë të gjithëve. Më ndihmo, Zot!”

Presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier emëroi zyrtarisht në orën 18 edhe 17 ministrat e qeverisë. Pas betimit të tyre në Bundestag, qeveria e re e Gjermanisë nën Kancelarin Friedrich Merz fillon punën.

Situatë e papritur paradite: Që votimi për kancelarët në Gjermani është akt me të panjohura, kjo nuk është e re. Këtu ndikon edhe fakti që kandidati për kancelar zgjidhet me votë të fshehtë. Ish-kancelari i pasluftës Konrad Adenauer u zgjodh në post me vetëm një votë me tepër se shumica e nevojshme absolute. Vetëm dy vota më tepër se shumica e nevojshme mori atëherë në votimin për kancelar edhe Helmut Kohl. Kjo nuk i pengoi ata ta drejtojnë përkatësisht 14 vjet dhe 16 vjet Gjermaninë.

Por pak orë më parë në Bundestag patëm një sensacion: kreu i CDU-së Friedrich Merz nuk u zgjodh në raundin e parë të zgjedhjeve për kancelar në Bundestag. Në një votim të fshehtë, ai mori 310 vota, gjashtë më pak se shumica e nevojshme prej 316. “Deputeti Friedrich Merz nuk mori shumicën e kërkuar prej të paktën 316 votash,” deklaroi Presidentja e Bundestag-ut Julia Klöckner. “Në përputhje me Nenin 63 (2) të Ligjit Themelor, Kancelari Federal i Republikës Federale të Gjermanisë nuk është zgjedhur.” Sipas Klöcknerit, në votim morën pjesë 621 nga 630 deputetët.

Grupet parlamentare diskutuan procedurën: Kjo nuk kishte ndodhur më parë në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë. Asnjëherë më parë, pas zgjedhjeve të Bundestagut dhe negociatave të suksesshme të koalicionit nuk kishte dështuar në Bundestag një kandidat për kancelar. Si rezultat, seanca e Bundestagut u ndërpre. Grupet parlamentare diskutuan se si të vazhdojnë.

Presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner, tha më pas se kishte thirrur një raund të dytë për të mërkurën, për të deklaruar më vonë se raundi i dytë do të mbahej po të martën (06.05). Sipas burimeve të Bundestagut, kjo u parapri nga konsultime midis Presidentes të Bundestagut dhe grupeve parlamentare.

Mbështetje nga CDU për Merzin: Kreu i CDU-së, Friedrich Merz, ishte i vendosur të kandidonte përsëri dhe kishte marrë mbështetje dërrmuese në grupin parlamentar. Brenda grupit parlamentar të partive unioniste, u deklarua se partitë unioniste mbështesin Merzin, se kjo është në ADN-në e Unionit. Votat e mbetura mund të vinin vetëm nga SPD-ja. Duartrokitje për Merzin u dëgjuan në sallën e grupit parlamentar të partive unioniste për disa minuta.

Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Carsten Linnemann kërkoi një vendim të shpejtë. Evropës i duhet një Gjermani e fortë, deklaroi Linnemann në Bundestag. Kjo është arsyeja pse nuk mund të presim me ditë të tëra. “Kjo nuk është shaka,” deklaroi politikani i CDU. Procedura ligjore po studiohet, tha ai, “sepse nuk ka shumë përvojë në këtë fushë”.

Merzi dhe bashkëkryetari i SPD-së, Lars Klingbeil, kishin theksuar të hënën (05.05) se kishin një shumicë të qartë të grupeve të ardhshme parlamentare për zgjedhjen e kancelarit. Në mbledhjet e jashtëzakonshme të grupeve parlamentare të mbajtura në mëngjes, si partitë unioniste ashtu edhe SPD konfirmuan se të gjithë deputetët ishin të pranishëm.

Me sa duket kishte pakënaqësi: Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, fakti që deputetët e partive unioniste dhe SPD-ja nuk votuan për Merzin në raundin e parë u shpjegua në qarqet e koalicionit me ekzistencën e një sërë pakënaqësish. Midis tyre mund të ishin politikanë që nuk fituan poste në formimin e qeverisë.

Megjithatë, SPD kishte gjithashtu rezerva themelore për Merzin. Edhe partitë unioniste dyshojnë se votat e munguara erdhën nga SPD-ja, sipas një burimi të konsultuar nga Reuters. Por grupi parlamentar i SPD-së nuk e pa përgjegjësinë për rezultatin që bie brenda radhëve të tij. “Ne supozojmë se ka konsensus të plotë. Askush nuk mungonte”, sipas deklaratave të personave pranë Klingbeilit, të raportuara nga agjencia e lajmeve dpa. Por qarqe të tjera kishin sugjeruar më parë se pakënaqësia me pushtetin e Klingbeilit mund të kishte kontribuar në refuzimin për të dhënë mbështetjen e tij. Nga ana tjetër tek partitë unioniste, kritika solli ndryshimi i politikës financiare pas zgjedhjeve, me lehtësimin e frenës së borxhit për shpenzimet e mbrojtjes dhe një fond të veçantë prej miliarda eurosh për infrastrukturën.

Seanca e votimit u ndoq në sallë nga një numër i madh të interesuarish. Në mënyrë të veçantë, Presidentja e Bundestagut Julia Klöckner përshëndeti në fillim të seancës në sallë ish-kancelaren Angela Merkel./DW

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com